MAKINAT NË TROTUARE, KËMBËSORËT NË RRUGË, “XHON KENEDI”, ZONA ME TRAFIK MË TË NGARKUAR

637
0
SHPËRNDAJE

Rruga “Xhon Kenedi” vazhdon të cilësohet si njëra nga rrugët më të ngarkuara për shkak të veturave që parkohen nëpër trotuare, me çka edhe rrezikohet jeta e këmbësorëve të cilët janë të detyruar të ecin në rrugë. Një qytetar i kësaj zone i revoltuar nga gjendja dhe neglizhenca e policisë, iu drejtua TV 21 me qëllim që ky problem të dëgjohet nga ata që duhet të ndërmarrin masa.

Fatmir Shaqiri, thotë se kjo rrugë është e ngarkuar nga veturat e parkuara në trotuare gjë që i detyron këmbësorët të ecin në rrugë. Shton se është e vetmja pjesë për të cilën nuk ka asnjë interesim.

“Sot me një shtagë për shkaqe shëndetësore, nuk munda të kaloj askund, kjo rrugë nuk ka as trotuare dhe asnjë sinjalizim. Më ironike është ajo që çdo komunë që i takon qytetit të Shkupit, shërbimi merimangës është shumë efikas dhe e vetmja është kjo pjesë për të cilën nuk ka asnjë interesim”, tha Fatmir Shaqiri, qytetar.

Në lidhje me këtë nga Komuna e Çairit thonë se me kërkesë të tyre prania e shërbimeve policore është edhe më evidente me qëllim vendosjen e rregullit dhe sundimin e ligjit.

“Me kërkesë të Komunës së Çairit, është evidente prania e shtuar e shërbimeve policore të komunikacionit me qëllimin e vetëm vendosjen e rregullit dhe sundimin e ligjit”, nga Komuna e Çairit.

Praninë e shërbimeve policore e konfirmon edhe vet Shaqiri, i cili kishte kërkuar ndihmë nga ta por përgjigjia e tyre ishte se kanë qenë në pritje të shërbimit të merimangës.

“Unë sot hasa edhe në një patrullë të policisë së komunikacionit, edhe i informova ata se isha me shtagë dhe nuk kisha ku të kaloj edhe ata më thanë se janë duke e pritur shërbimin e merimangës dhe thanë që i kanë thirrur dhe janë duke pritur. Momentin që unë kam kontaktuar televizionin tuaj ajo patrullë policore ndezi veturën dhe u largua”, shtoi Fatmir Shaqiri, qytetar.

Ai shtoi më tej se nuk di se i kujt është faji për mos ndërmarrjen e masava për këtë problem. TV21 kontaktoi edhe MPB-në dhe për rastin në fjalë ata me rezervë pranojnë përgjegjësinë e shërbimeve policore, por vlerësojnë se gjërat nuk duhet të gjeneralizohen.

“Periudhën e fundit policia së bashku me Qytetin e Shkupit, me shërbimet e merimangës është duke intervenuar në lokacione të rekomanduara nga qytetarët, por gjithsesi duhet të veprojmë gradualisht, hap pas hapi, sepse nuk mundet të gjitha përnjëherë të zgjidhen”, tha Natalija Spirova Kordiq, kryeshefe e sektorit për marrëdhënie me publikun.

Parkimi i veturave në trotuare jo vetëm që rrezikon jetën e këmbësorëve por edhe shkakton kaos në komunikacion. Qytetarët në vazhdimësi kanë paraqitur ankesa për trafikun e ngarkuar dhe shoferët e pakujdeshëm që parkojnë nëpër trotuare, duke i detyruar kështu këmbësorët të ecin në mes të rrugës.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU