JEP DORËHEQJE DREJTORI I “25 MAJIT”, FLET BABAI I VAJZËS QË U SULMUA SEKSUALISHT

627
0
SHPËRNDAJE

Drejtori i Institutit publik shëndetësor për përkujdesjen e fëmijëve me probleme edukativo-sociale dhe me sjellje të çrregulluar, Stevço Sokollovski, sot dorëzoi dorëheqje për shkak të arsyeve morale. Ministria për punë dhe politikë sociale vazhdon me hetimin e rastit.

Dorëheqja erdhi pasi një vajzë me iniciale R.I 13 vjeçare abortoi pasi mbeti shtatëzënë si pasojë e abuzimit seksual teksa ka qenë e strehuar në shtëpinë për përkujdesjen e fëmijëve “25 Maji”. Për këtë rast për herë të parë alarmoi “Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve”, ku kërkuan nga autoritetet përkatëse të shqyrtojnë rastin dhe t’i sigurojnë vajzës strehim të sigurt. Ndërsa babai i vajzës tregon se me vajzën u nda kur ajo i  kishte 5 vjet pasi iu mor e drejta prindore. Sipas babait, vajza ishte abuzuar seksualisht edhe në qytetin e Strugës, kur kishte qenë në pushimore në vitin 2016.

“E kanë dërguar në Strugë në një pushimore, dhe kur shkova ta marr unë me vërtetim vajza më tregoi se çfarë i ka ndodhur dhe se e kanë abuzuar seksualisht. Unë thirra policinë nga Matka dhe morën dëshmi nga unë dhe vajza ime. Kjo ka ndodhur në vitin 2016”, tha Shefket Ibrahimi.

Ndërsa nga “Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve”,  thonë se ky rast nuk është i vetëm por ka pasur edhe raste të tjera në këtë qendër strehimore për fëmijëve.

“QEDR ka pasur dëshmi të ngjashme  për dy motra rome të cilat gjithashtu janë pjesë e Shtëpisë për përkujdes të fëmijëve “25 Maji”, V.A. në moshën 16 vjeçare dhe L.A. në moshën 13 vjeçare. Edhe ata të dyja shpeshherë janë zhdukur nga shtëpia për përkujdes dhe në mënyrë të ngjashme. Zhdukjet e tyre nuk janë paraqitur në polici ose tek prindërit. Sipas dëshmive të tyre, një mashkull më i vjetër i cili është identifikuar si i punësuar në Qendrën për punë sociale, i ka marrë nga shtëpia e përkujdesit dhe i ka dërguar në stacionin e vjetër hekurudhor të Shkupit, ku dhe ka abuzuar seksualisht me ta”, nga Qendra Evropiane për të drejtat e Romëve.

Për rastin është njoftuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria themelore publike ku është kërkuar që të hetohet rasti dhe të kapet sulmuesi i fëmijëve. Ndërsa nga Ministria e punës dhe politikës sociale thonë se nga mesi i vitit 2018, do të fillojë transformimi i enteve për përkujdesjen e fëmijëve në rrjetin e shtëpive të vogla grupore për përkujdes. Kjo reformë do të mundësojë qasje individuale deri te çdo fëmijë, kujdes më të mirë dhe zvogëlim të rrezikut nga ngjarjet e tilla të padëshiruara.

Përgatiti: Afrim Jonuzi

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU