27 PRILLI, SELA ME DETAJE TË REJA! AKUZON ISH-PUSHTETIN PËR PLANIFIKIM TË SULMIT NDAJ TIJ!

551
0
SHPËRNDAJE

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, dha dëshminë e tij në cilësinë e të dëmtuarit për ngjarjet 27 prillit të vitit të kaluar. Sipas tij, 10 të akuzuarit që ndodheshin në gjykatë janë vetëm dorasit e një sulmi të ideuar paraprakisht. Ai kërkoi të investigohet se si për gjithçka tjetër ka pasur videoinçizime, përveç për sulmin ndaj tij.  Pas seancës në deklaratë për media Sela akuzoi strukturat e atëhershme të pushtetit për siç tha, organizimin me paramendim të sulmit ndaj tij. Shpjegim për mos-gjetjen e video materialeve kërkoi edhe nga qeveria e tanishme.

“Nuk janë vetëm ca individë dhe doras që kanë bërë sulmin, por ka një organizim të mirëfilltë të strukturave të shtetit të atëhershëm, të cilët kanë planifikuar me detaje gjithçka. Zaten edhe tendencat për t’u vjedhë inxhizimet prej parlamentit në mënyrë që të mos dalë asgjë, e dëshmojnë edhe një herë këtë që sapo thash…  Pjesa tjetër tani, që u gjetën inxhizimet dhe nuk u gjet asgjë në lidhje me sulmin që u bë më 27 prill, mua personalisht Ziadin Selës, ngelet që shpjegimet ti japë, edhe pushteti i tanishëm”, u shpreh Sela.

Sela njoftoi se nga Kuvendi e kanë nxjerrë të maskuar si polic të lënduar. Gjatë pyetjeve të prokurorit publik, ai shpjegoi se si ka ndodhur e gjithë ngjarja, duke theksuar se kur ka hyrë turma e njerëzve në sallën e Qendrës për shtyp, ai dhe një grup deputetësh ishin në një cep të sallës. Pasi është ndarë nga deputetët tjerë, i është vërsulur turma, duke bërtitur “Ja Sela, hajde te Sela.” Pastaj turma kanë filluar ta godasin në kokë dhe trup dhe në atë moment ka humbur vetëdijen, për t’u zgjuar më pas në dhomën 334 të Kuvendit, nga ku e kanë dërguar në klinikën shtetërore. Sela njoftoi se një gazetare e ka xhiruar të gjithë rastin. Madje sipas tij, në një moment gazetarja ka shkuar përtej detyrimit profesional, duke e penguar Selën të dalë nga salla.

“Pak para se të hyjë turma në sallë, unë dhe Surja Rashiti vendosëm të ngjitemi në zyrat tona, kur në derë na doli gazetarja dhe na tha “S’keni për të shkuar askund, tani e sheh se çfarë ju pret”. Më erdhi keq ta godas, meqë ishte femër dhe vendosëm që të kthehemi në pres qendër. Ajo ka qëndruar afër meje gjatë gjithë kohës dhe mendoj se ka xhiruar gjithçka”, shtoi Sela.

Për tentim-vrasje ndaj deputetit Ziadin Sela akuzohen 10 persona. Në mesin e tyre janë Caje dhe Kire Gjorgjievski, Andrej Micov, Stojan Pavlevski, Nikolla Vojminovski, Kosta Dellov, Alesandar Janevski, Sasho Senkov, Oliver Oshavkovski dhe Nikollçe Dimitrievski. Seanca e radhës është caktuar për nesër në ora 10.

Përgatiti: Bajram Memeti

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU