AFRIM GASHI KRYETAR I RI I “BESËS”: DO TË BASHKËPUNOJ ME TË GJITHA PARTITË SHQIPTARE

1031
0
SHPËRNDAJE

Nga gjithsej 542 delegatë të pranishëm, tetë ishin të përmbajtur dhe vetëm 12 kundër që Afrim Gashi të bëhet kryetar i ri i Lëvizjes Besa. Kryetarit të posazgjedhur nuk i intereson se si do të përfundojë beteja juridike me grupin tjetër i cili pretendon se e ka legjitimitetin dhe legalitetin. Ai thotë se idenë e Lëvizjes Besa e bëjnë njerëzit e organizatës, e ata kanë qenë sot në Tetovë për ta zgjedhur atë si kryetar të ri të partisë.

“Ne jemi të preokupuar me procesin tonë. Ky proces i joni sot ka përfunduar. Ajo është një organizatë krejt tjetër. Beteja juridike do të zhvillohet dhe do të përfundoj ashtu siç do të vendosin gjykatat, por organizata është kjo. Kjo është ideja, këtu është koncepti, këtu janë njerëzit. Ne do të vazhdojmë pavarësisht emrave që pranohen në gjykatë apo jo”, u shpreh Afrim Gashi, Kryetar i Lëvizjes BESA.

Situatën në të cilën po kalon Lëvizja Besa, për Gashin është vetëm një grip të cilin organizata po e tejkalon dhe po e forcon imunitetin politik. Në fjalimin e parë si kryetar, Gashi hapi dyert e bashkëpunimit me të gjitha partitë shqiptare, kurse potencoi se do të angazhohet që veçanërisht me opozitën shqiptare të kenë bashkëpunim dhe marrëdhënie të mira.

Kryetari i posazgjedhur tha që partia e tij do t’i përkrahë reformat dhe do të komunikojë me të gjitha partitë maqedonase, pa marrë parasysh dallimit në qëndrime.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit, Nexhbedin Kahremani, në fillim mbajti një fjalim ku përmendi një nga një të gjitha ngjarjet të cilat i tejkaloi Lëvizja Besa gjatë kësaj periudhe, kurse nuk e la pa thënë disa fjalë edhe për situatën e krijuar pas zgjedhjeve lokale në partinë e tij. Ai tha se pas zgjedhjeve Kasami ka filluar të lobojë që të rizgjidhet dhe të jetë kandidat i vetëm për kryetar partie.

“Para zgjedhjeve lokale kryetari kishte kërkuar të kandidohet për kryetar të Tetovës që ta ketë atë alibi për tu tërhequr nga posti i kryetarit të Lëvizjes. Pas përfundimit të zgjedhjeve kjo nuk ndodhi, por ai pengoi gati plotësisht lëvizjen e partisë Besa”, tha Nexhmedin Kahrimani, nga Lëvizja BESA.

Kanë reaguar edhe nga krahu i Kasamit. Prej atje kongresin e sotshëm e quajnë tubim që nuk ka të bëjë asgjë me Lëvizjen Besa.

“Mjafton të shihet fotografia e përgjithshme, se kush nga të ftuarit ishte në reshtin e parë dhe kush rrinte në prapavije, lirisht mund të konstatohet se ai grup janë thjesht një grumbull i shoqatave që dirigjohen vetëm nga një qendër e cila ska të bëjë jo vetëm me BESËN por as me shqiptarët. Kongresi i Lëvizjes Besa është një dhe ai mbahet më 24.02.2018 në Shkup. Pasi që tani shumica edhe e njerëzve të manipuluar u vërtetuan se grupi tjetër qëllimin e ka patur vetëm të kenë personin që dirigjohet nga jashtë në krye të tyre ne i ftojmë të gjithë që të rreshtohen aty ky vazhdon ideja dhe ideali i Lëvizjes Besa, pra në Kongresin e parë që do mbahet më 24 shkurt”, nga Lëvizja BESA.

Në këtë kongres mysafirë ishin edhe kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi si dhe përfaqësuesi i Aleancës, Elmi Aziri. Përveç zgjedhjes së kryetarit, partia miratoi edhe statutin e ri të partisë, programin politik si dhe votoi anëtarët e Kuvendit Qendror.

Përgatiti: Furkan Saliu

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU