DEFICITI NË FONDIN PENSIONAL DO TË THELLOHET, FMN: RRITENI MOSHËN E PENSIONIT DHE OFRONI PUNË TË RINJVE

802
0
SHPËRNDAJE

Gjendja me deficitin në fondin pensional është problematike dhe kjo situatë duhet të zgjidhet sa më shpejtë. Kështu vlerësoi Shefja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Maqedoni, Xhesmin Rahman. Ajo tha se deficiti në fondin pensional për momentin është 4.5 % e Bruto prodhimit vendor. Sipas të dhënave të Fondit monetar ndërkombëtar, ky deficit në arkën pensionale deri në vitin 2030 pritet të arrijë 10.5 % nga BPV-së.

“Për të rritur qëndrueshmërinë e sistemit pensional ne rekomanduam që moshat e daljes në pension duhet të jetë në përputhje me vendet e BE-së , sepse vendi juaj ka pritshmëri të jetës të ngjashme me BE-në.  Gjithashtu indeksi të jetë i lidhur me inflacionin dhe jo 50/50 dhe të mbyllen vrimat në  ligjet që mundësojnë pensionim të parakohshëm”, tha Xhesmin Rahman, Shefe e misionit të FMN në Maqedoni.

Problem tjetër është edhe largimi i të rinjve. Sipas raportit të Fondit Monetar ndërkombëtarë shumica e të rinjve që kanë ikur nga Maqedonia dhe rajoni janë punëtorë të kualifikuar dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Rahman theksoi se për të mbajtur këtu forcën punëtore, duhet të ketë më shumë vende pune dhe kushte më të mira pune.

“Për të mbajtur këto njerëz në vend, duhet të krijohen mundësi, të krijohen vende pune dhe kushte më të mira”, u shpreh Rahman.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar fjalën e tij e fokusoi në një problem tjetër, atë të mungesës së infrastrukturës adekuate. Sipas tij, për një zhvillim më të shpejtë të ekonomisë në Ballkan, nevojitet investim në infrastrukturë.

“Për rritje më të madhe nevojiten investime më të mëdha dhe qëndrimi në hap me trendët botërore, në këmbimin e mallrave, shërbimeve dhe ideve. Institucionet me kapacitete më të mëdha dhe infrastrukturë më e mirë janë faktorë kyç që të arrihet kjo gjë”, tha Tao Hang.

Anëtari i përhershëm i bordit ekzekutiv të bankës qendrore evropiane, Benoa Kere, theksoi se rreziqet nga inflacioni si dhe rreziqet tjera ekonomike janë të pranishme ende në gjithë globin, por siguroi që Eurozona do të arrijë të sigurojë stabilitet për veten, si dhe për vendet fqinje si Maqedonia.

“Eurozona sigurisht që do të ketë sukses në sigurimin e stabilitetit të saj por edhe të mjedisit rreth saj, fqinjëve të saj, që përfshinë edhe Maqedoninë. Në këtë lloj mjedisi duhet të qëndroni në këmbë dhe duhet ekonomi e fortë, kapacitet për të përballuar shok. Ne vetëm duhet të krijojmë një mjedis të tillë financiar, ku mund të qëndrojmë në këmbë dhe të durojmë një shok të tillë. Kjo bëhet me një ekonomi të fortë në aspekt të letrave me vlerë”, u shpreh Benoa Kere, anëtar i përhershëm i bordit ekzekutiv të Bankës qendrore evropiane.

Në konferencën e sotme ndërkombëtare të nivelit të lartë, morën pjesë shumë përfaqësues të shumë institucioneve ndërkombëtare ekonomike. Ndër ta ishte edhe zv. drejtori kryesor i bankës  për baraspeshë ndërkombëtare Avazu Periera da Silva, dhe  përfaqësues të lartë të bankave qendrore të Islandës, Austrisë, Çekisë dhe Lituanisë. Panelistë në konferencë ishin edhe përfaqësues të lartë të bankës për zhvillim të këshillit të Evropës, Bankës Botërore, Bankës investitore evropiane, bankave investitiore BlackRock dhe UBS. Në konferencë ishin të pranishëm edhe ministrat e financave të Maqedonisë dhe Bullgarisë.

Konferenca u mbajt në Shkup, ndërsa u organizua nga Banka Popullore e Maqedonisë.

Përgatiti: Bajram Memeti

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU