Hotelierët dhe këngëtarët në protestë, kërkojnë të bëhen dasma

TË FUNDIT

Protesta e hotelierëve bllokoi rrugët e kryeqytetit.
Për tre orë rresht në Bulevardin Aleksandri i Maqedonisë, në Autokomandë, pronarët e restoranteve, studiot e fotografive, këngëtarët e dasmave e kështu me radhë, shprehën revoltën për moslejimin e organizimit të dasmave. Ata kërkojnë ndihmë financiare nga Qeveria dhe një protokoll me të cilin mund të organizohen dasmat, mbrëmjet nëpër lokale dhe ahengjet tjera.

“Jemi mbledhur sot për të shprehur pakënaqësinë për pakon e pestë ekonomike të qeverisë, sepse jemi të harruar plotësisht. Ne restorantet për organizmin e ngjarjeve dhe klubet e natës jemi subjektet e vetme që një vit nuk po punojmë, kemi ndalesë për të zhvilluar aktivitetet. Kërkojmë që shteti të na ndihmojë me grante financiare dhe të na përgatis protokoll pune, ashtu siç kanë kafenetë”, tha Perica Golemiq.

“Kërkojmë urgjentisht që të bëhet një protokoll për neve që të fillojmë me punë. Nuk kërkojmë të organizojmë dasma tradicionale, por vetëm me protokoll sikurse restorantet tjera”, deklaroi Ekrem Memishi, pronar restoranti.

“Kemi ardhur t’i japim përkrahje hotelierëve sepse edhe ne si fotografë jemi të lidhur direkt me ndërprerjen e punës së tyre. Ndalesën që e kanë gastronomët është kërcënim i drejtpërdrejt edhe për sektorin tonë”, tha Mile Spasov nga Oda e Fotografëve.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi u deklarua sot duke thënë se hotelierëve u është ndihmuar mjaftueshëm. Nga Komisioni për sëmundje infektive për TV21 thanë se për shkak të ndryshimit të vazhdueshëm të numrit të të infektuarve nuk mund të sjellin rekomandime për lirimin e këtyre kufizimeve. Të hënën Komisioni në fjalë ka takim, dhe protokolli i kërkuar nga hotelierët mund të jetë njëra nga pikat e diskutimit. Nëse nuk thirren në Qeveri për t’ia dëgjuar hallet, hotelierët paralajmërojnë protesta edhe të hënën edhe të martën.