A do të ketë shumicë të re parlamentare? Stojanovska thotë se ka negociata, Petrovska hedh poshtë mundësinë e tillë

TË FUNDIT

Debat i ashpër mes deputeteve Sllavjanka Petrovska nga LSDM-ja dhe Dafina Stojanovska nga radhët e VMRO-DPMNE-së në emisionin “Klik Plus” të TV21. Lidhur me formimin e një shumice të re parlamentare, të cilën ditëve të fundit shefi i opozitës, Hristijan Mickoski e paralajmëron me zë gjithnjë e më të lartë, kurse nga partia opozitare vijnë informacione se kanë bile 65 deputetë, Stojanovska thotë se tani për tani kjo ende nuk është e sigurt, por pohon se po zhvillohen negociata.

“Pikërisht, këto janë vetëm paralajmërime. Zyrtarisht ende nuk ka gjë, por kuptohet se jemi në negociata me të gjithë që janë në koalicion me shumicën qeverisëse në Kuvend, pasi jeni dëshmitarë se ka pakënaqësi gjithnjë e më të madhe te disa individë, por gjithashtu jemi dëshmitarë, edhe opinioni publik e di shumë mirë, se kjo shumicë parlamentare nuk mund të funksionojë mirë. Për shkak të kësaj, edhe Parlamenti është bllokuar dhe nuk mund të mbahen seanca”, tha Stojanovska.

Por, kryeministri Zaev i hodhi poshtë zërat për shumicë të re parlamentare, duke siguruar se kanë shumicë të qëndrueshme. Këtë e pohoi edhe deputetja nga radhët e socialdemokratëve, Petrovska, e cila mohon të ketë pasur probleme në shumicën qeverisëse.

“Ajo shumicë parlamentare paralajmërohet që nga dita e parë e formimit të kësaj Qeveria me këtë shumicë parlamentare e cila është e qëndrueshme. Më me siguri ka konfuzion sepse në koalicion ka mendime të ndryshme lidhur me çështje të caktuara, por për një demokraci kjo është një gjë normale. Ka kaluar koha kur deputetët obligoheshin me kambiale ose në mënyra të ndryshme të veprojnë sipas urdhrit të partisë në pushtet. Kështu që, partnerët e koalicionit kanë mendime të ndryshmepër çështje të caktuara, por kjo absolutisht nuk e vë nën pikëpyetje qëndrueshmërinë e Qeverisë”, deklaroi Petrovska.

Se BDI-ja nuk mendon për formim të një shumice të re me VMRO-DPMNE-në, para disa ditësh konfirmoi edhe vetë lideri i partisë, Ali Ahmeti. Shumica parlamentare funksionon normalisht, ka dallime për tema të caktuara, por e mira është se për të gjitha çështjet arrihet konsensus, deklaroi Ahmeti.