ZGJIDHJA PËR EMRIN NË GJYSMË, ZAEV: 3 NGA 7 POZITAT FILLESTARE U MBYLLËN

550
0
SHPËRNDAJE

“E kaluam pothuajse gjysmën e rrugës në lidhje me çështjen e emrit. Tre nga shtatë pozitat fillestare të të dyja qeverive u mbyllën, por mbeten edhe katër të cilat janë më të vështira për t’u zgjidhur”. Këtë e theksoi kryeministri Zaev i cili tha se në takimin e djeshëm i cili zgjati 7 orë mes Dimitrovit, Koxiasit dhe Nimicit në Vjenë, pothuajse gjysma e pikave për të cilat negociohet, janë të mbyllura. Zaev nuk deshi të zbulonte se për cilat pika u dakorduan të dyja palët, dhe cilat pika mbeten të hapura, duke thënë se në qoftë se e zbulon këtë gjë, kjo do të thotë negocim përmes mediave.

“Unë e them këtë si informacion, si inkurajim se ka çështje që kanë lëvizur përpara. Ndoshta, ato kanë qenë më të lehta, por është mirë. Ky është sinjal dhe inkurajim për ne, është inkurajim edhe për palën greke se mund të gjendet një zgjidhje. Kuptohet se, pozitat thelbësore janë shumë më të rëndësishme. Emri, Kushtetuta a do të ndryshohet apo jo, gjuha dhe gjëra të tjera që përmenden atje. Dhe në fund siç e dini, qytetarët në referendum do ta konfirmojnë këtë. Dashtë Zoti të gjejmë një zgjidhje që të mund të dalim në referendum”, tha Kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.

Profesori universitar dhe bashkëpunuesi i jashtëm në Qeveri, Mersel Bilali, tha se mendimi i tij personal është se referendumi nuk është zgjidhje për shkak se, siç tha, referendumi nuk i balancon marrëdhëniet mes banorëve. Bilali mendon se me referendumin, një pjesë e banorëve fitojnë gjithçka, ndërsa të tjerët do të humbin atë për çka angazhohen.

“Çfarë nëse dështon referendumi, mendoj se nuk kemi opsion tjetër, pasi që vullneti i qytetarëve duhet të respektohet edhe disa vite si i tillë, dhe pastaj të shohim nëse është e mundur pas disa viteve me një referendum tjetër, me çka do të hapërojmë në zonë të minuar dhe sipas të gjitha segmenteve do të na reflektohet shumë keq”, tha Mersel Bilalli, profesor universitar.

As zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski nuk zbuloi më shumë detaje për bisedat e djeshme në Vjenë. Ai tha se këtë javë filloi faza intensive e negociatave, por tha se nuk do të zbulohen më shumë detaje në opinion për ta mos e dëmtuar procesin e negociatave.

“Ato janë informata që do të dalin në opinion, me qëllim që të mos dëmtohet procesi i negociatave. Drejtimi është i njëjtë. Presim kompromis të ndërsjellë, një zgjidhje dinjitoze e cila do të jetë e pranueshme për të gjithë”, u shpreh Boshnjakovski.

Sinjale optimiste për zgjidhjen e çështjes së emrit dërgon edhe Greqia përmes zëdhënësit Xanakopullos, i cili tha se mundet të arrihet marrëveshje e përbashkët. Ai nuk deshi të spekulonte se çfarë do të ndodhë në të ardhmën, por tha se po punohet në drejtim të arritjes së marrëveshjes për emrin “erga omnes”, ndërsa si parakusht ai mendon se duhet të bëhet revizion i Kushtetutës në Maqedoni.

Përgatiti: Antonio Krstevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU