A DO TË AFROHEN QËNDRIMET NË VJENË? BISEDA MARATONIKE DIMITROV – KOXIAS ME NIMICIN

458
0
SHPËRNDAJE

Biseda maratonike në selinë e Austrisë sot po zhvillohen mes Dimitrovit, Koxiasit dhe Nimicit. Shefi i  diplomacisë së Maqedonisë dhe ai i Greqisë, në Vjenë po përpiqen së bashku më ndërmjetësuesin t’i tejkalojnë dallimet për emrin. Ata kanë punuar për harmonizimin e qëndrimeve të tyre edhe gjatë ditës së djeshme, për shkak se dje, si hyrje për bisedat e sotme, ministrat kanë biseduar, por as Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe as ajo e Greqisë, nuk publikuan detaje në lidhje me bisedën e djeshme mes dy ministrave. Mbetet e paqartë nëse Koxias në këtë takim do ta prezantojë pilot  – marrëveshjen me 4 pika, të cilën e paralajmëron tashmë një muaj, dhe për të cilën pala greke tha se është hapi i parë drejt zgjidhjes së çështjes. Në qoftë se ky dokument merr përkrahje nga ana e të dyja palëve, atëherë Maqedonia nuk do të ketë më pengesa në rrugën drejt BE-së dhe NATO-së.

Çfarë rezultati do të ketë takimi i sotëm, varet nga lëshimet që do t‘i bëjnë të dy vendet, por deri më tani palët mbeten në qëndrimet e tyre tashmë të njohura. Pala maqedonase thotë se është e gatshme  të negociojë për emrin me përcaktim gjeografik por nuk do të pranojë ndryshim të Kushtetutës dhe të preket gjuha dhe identiteti. Greqia nga ana tjetër kërkon emër “Erga omnes” përkatësisht për përdorim të brendshëm dhe të jashtëm, si dhe intervenime në Kushtetutë, për, siç thonë ata, përfundim të irredentizmit.

Përderisa opinioni publik maqedonas dhe grek, presin informacione më të detajizuara nga takimi në Vjenë, në Greqi ka reagime të ashpra në lidhje me deklaratën e kryetarit të Selanikut, Janis Butaris, në lidhje me propozimin për ndryshimin e emrit të aeroportit të Selanikut. Megjithatë Butaris më vonë i mohoi lajmet duke pohuar se deklarata është nxjerrë nga konteksti.

“Nuk propozova, nuk propozoj dhe nuk do të propozoj ndryshim të emrit, thjeshtë e shpreha brengën time. Atë që kam thënë, nuk e mohoj, për shkak se për këtë çështje kemi humbur 130 e deri më 150 vende, apo sado që janë, që e kanë pranuar vendin me emrin Maqedonia. Edhe ne, për fat të keq, me përgjegjësi të qeverisë greke në 25 vitet e fundit, kemi humbur. Dhe kjo gjë duhet të na brengosë”, tha Janis Butaris, Kryetar i Selanikut.

Pritet që në periudhën e ardhshme të intensifikohen takimet mes përfaqësuesve të të dyja qeverive ndërsa sipas informacionit të fundit, edhe pse nuk është konfirmuar nga MPJ-ja, thuhet se ministrat do të zhvillojnë edhe një takimin ministror që do të mbahet në Sofje më datë 15 dhe16 të këtij muaji.

Përgatiti Antonio Krstevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU