ERDOAN: MOS CENONI TË DREJTAT E TURQISË NË DETIN MESDHE

122
0
SHPËRNDAJE

Turqia ja tërheq vërejtjen Greqisë dhe Qipros

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajib Erdoan, ja tërhoqi vërejtjen Greqisë, Qipros dhe kompanive ndërkombëtare, që po kërkojnë gaz në Detin Mesdhe, që mos të kalojnë vijën dhe që mos të cenojnë të drejtat e Turqisë.

Ai vërejtjen e tërhoqi gjatë fjalimit mbajtur para deputetëve të partisë në pushtet AKP, pikërisht në momentin kur anijet luftarake të Turqisë po bllokojnë pajisjet për shpim në Qipro, proces ky i cili po kryhet nga një kompani italiane.

Turqia kundërshton shpimet në kërkim të naftës dhe gazit, duke theksuar se këto veprime janë shkelje e të drejtave të turqve në Qipro.

“Përpjekjet oportuniste për të gjetur gaz në Qipro, si dhe çështja e ishujve në Detin Egje, nuk i kanë ikur vëmendjes tonë. Ja tërheqim vërejtjen të gjithë atyre që kalojnë vijat duke bërë llogari të gabuara”, tha Erdoan.

Grekët e Qipros kanë akuzuar Turqinë se gjatë fundjavës së kaluar ka penguar anijet që ishte paraparë që të fillonin nxjerrjen e gazit, me arsyetimin se ushtria turke është duke zhvilluar manovra.

Të hënën, Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, i bëri thirrje Turqisë që ti shmanget kërcënimeve apo aksioneve kundër disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që ti përkushtohet marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve dhe që të respektoi integritetin e tyre territorial.

Tusk këtë deklaratë e bëri pas takimit që pati me Presidentin e grekëve të Qipros, Nikos Anastadisin.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU