E VETMUAR, ME EPILEPSI DHE ME BORXHE, BOJANA 31-VJEÇARE NGA ÇAIRI LUTET PËR PUNË

1005
0
SHPËRNDAJE

Pashtetë dhe bukë. Ky është ushqimi i përditshëm i Bojana Kollevës nga Çairi, e cila vuan nga epilepsia. Në një dhomë të ftohtë, tri vite pa ngrohje qendrore dhe pa rrymë, në rrugën “Xhon Kenedi”, Bojana jeton e vetmuar. Babai i saj ka vdekur moti, kurse nënën e ka humbur para dhjetë ditëve. Për të siguruar kafshatën e bukës, ajo për 500 denarë e pastron shtëpinë e një të moshuari. Por, kjo nuk mjafton për t’i shlyer borxhet për rrymën, ngrohjen qendrore, ujin dhe barnat për të cilat ka nevojë.

“Në banesën time nuk rri shumë kohë, sepse është shumë ftohtë. Më së shumti qëndroj tek fqinjët ose shoqet. Në banesë vij vetëm për të fjetur. Për fatin tim të mirë, gjyshi Dushan më lejoi të punoj tek ai. Problemi është se kur punoj nuk kam kaq fuqi, nuk duroj shumë punë dhe prandaj më largojnë nga puna”, tha Bojana Kolleva.

Shoqja e saj e cila jeton në banesën fqinje, Emsal Ademi, shpeshherë i jep diçka për të ngrenë. Por, edhe Bojana çdo ditë shkon te Emsali për t’u ngrohur.

Bojana u bën thirrje kompanive që t’i ofrojnë punë, e cila do të ishte adekuate për gjendjen e saj shëndetësore.

“Do të doja të gjeja një punë, e cila nuk do të ishte fizikisht e vështirë dhe në këtë mënyrë të kem stazh, të kem një rrogë që të mund të shpëtohem nga borxhet që i kam”, shtoi ajo.

Ajo thotë se vetëm për rrymën ka borxh prej 200 mijë denarësh, kurse për shkak të kredisë, të cilën e ka marrë nëna e saj, banesa në të cilën jeton është nën hipotekë. Përmbaruesit janë problem i madh për Bojanën. Ata trokasin në dyert e saj çdo ditë dhe e paralajmërojnë se për shkak të borxheve, do të mund të mbetet edhe pa banesë.

Përgatiti: Arbana Q. Klimenta

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU