KLINIKA E RE UNIVERSITARE NË BARDOVCË!? QEVERIA ANASHKALON ARKITEKTËT NË VENDIMMARRJE

505
0
SHPËRNDAJE

Qendra klinike Universitare duhet patjetër të dislokohet nga vendndodhja e tanishme, ndërsa lokacioni më adekuat është në afërsi klinikës psikiatrike të Bardovcit. Ky është mendimi i Asociacionit të arkitektëve të Maqedonisë, të cilët ankohen se qeveria nuk po pyet asnjë institucion që merret me arkitekturë në lidhje me qendrën klinike.

Nëse qeveria vendos të ndërtojë qendrën klinike në lokacionin e tanishëm, do të bëjë dëm më të madh se 5.5 milionët që duhet paguar për prishjen e kontratës. Lokacioni i parapëlqyer nga arkitektët do të ketë 92 hektarë, në krahasim me klinikën e tanishme që ka 24 ari.

Arkitekti Ivan Arsovski i numroi përparësitë e lokacionit të ri në Bardovc.

“Pozita gjeografike në nivel të Republikës së Maqedonisë dhe  Rajonit, qarkullimi i rrymave ajrore, përkatësisht drejtimi dominues dhe fuqia e ajrit. Afërsia e pjesës qendrore të qytetit të Shkupit dhe infrastruktura e këtij qyteti, lidhshmëria dhe qasja në trafikun rrugor dhe hekurudhor. Qasja në dy rrugët magjistrale të Shkupit – Slloveneçka dhe Lublanska. Lidhja hekurudhore Shkup- Kërçovë me të cilën lidhet e gjithë Maqedoni por edhe vende me vende të jashtme, siç janë Kosova dhe Serbia”, tha Arsovski.

Arkitektët vlerësojnë se lokacioni i ri edhe pse do të kushtojë më shumë, është zgjidhja e duhur në plan afatgjatë. Ndërtimi i saj do të përfundojë në 15 vjetët e ardhshme, ndërsa sipas kryeministrit një projekt i tillë do të kushtonte rreth 500 milionë euro dhe nuk do të mund të fillonte në 5 vitet e ardhshme për shkak të komplikimeve me pronësitë e tokave. Kryetari i Asociacionit të arkitektëve, Martin Panovskit thotë se qeveria nuk ka konsultuar asnjë institucion relevant në vend që merret me arkitekturë.

“Askush nuk është drejtuar deri tek Asociacioni i arkitektëve për këtë problem, dhe nuk u konsultua as Fakulteti Arkitektonik, as Agjencia për planifikim hapësinor as Sektorët për urbanizëm të Qytetit të Shkupit dhe Komuna Qendër. Kjo do të thotë se asnjë institucion relevant i cili merret me planifikim hapësinor dhe arkitekturë nuk është konsultuar ose pyetur në lidhje me problemet urbanistike dhe arkitektonike”, u shpreh Panovski.

Kryeministri Zoran Zaev javën e kaluar pati deklaruar se bankës së Këshillit të Evropës  nuk u ka pëlqyer opsioni i ndërtimit të qendrës në Bardovcë për shkak të shumës prej 5.5 milionë euro që duhet paguar për prishje të kontratës.

“Nëse fillohet tani dhe nëse zgjedhim opsionin e dytë, me siguri në afat prej 5 vjetëve do të mund të vendosim gurthemelin. Vlera e qendrës së re klinike do të lëvizë nga 450 deri në 500 milionë euro. Për këtë kohë duhet të rrënohen gjithçka që gjendet në lokacionin e qendrës klinike aktuale, që të ndërtohen ndërtesa dhe objekte të reja që të mund të ketë investime, me të cilat do të ndërtohej në lokacionin e ri spitalet.  Çmimi aktual, sipas marrëveshjes ekzistuese e cila është lidhur në kohën e ish ministrit Todorov është në vlerë prej 85 milionë eurove”, u shpreh Zaev.

Ndryshe, për të vlerësuar se cila është zgjidhja më e mirë për ndërtimin e qendrës klinike, qeveria, me ndihmë të bankës botërore, pati sjellë një grup ekspertësh evropian të cilët rezultatet e hulumtimit i kanë prezantuar para kabinetit të Zaevit muajin e kaluar. Edhe pse u tha se shumë shpejt do të dilet me vendim, qeveria ende në heshtje.

Përgatiti: Bajram Memeti

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU