PËR T’U LARË NXEHIN UJË NË STUFË, STUDENTËT E “STIV NAUMOV-it” DHJETË DITË PA UJË TË NGROHTË

621
0
SHPËRNDAJE

Kështu studentët që banojnë në ndërtesën e dytë për djemtë, në konviktin “Stiv Naumov” në Shkup gjinden kur nuk kanë ujë të ngrohtë. Për shkak të një defekti të rrjetit të ujësjellësit, rreth 10 ditë nuk kanë ujë të ngrohtë.

Siç thonë, nga udhëheqësia e konviktit, u kanë premtuar se do ta zgjidhin problemin deri të shtunën.

“Ishim tek drejtori për ta pyetur pse nuk kemi ujë të ngrohtë tashmë një javë. Na thanë se nuk kanë shpallur tender që punëtorët ta rregullojnë defektin. Thonë se së shpejti do ta zgjidhin këtë problem. Na premtuan se deri të shtunën problemi do të zgjidhet”, tha një student në “Stiv Naumov”.

Ata mundohen të gjejnë mënyra të ndryshme për t’u larë, ka raste kur shkojnë edhe tek banjot e vajzave.

“Ndonjëherë për t’u larë shkojmë në ndërtesën e tretë, respektivisht në ndërtesën e vajzave, por ndonjëherë edhe këtu nxehim ujë”, u shpreh një student në “Stiv Naumov”.

Sot, kur kaluam tek konvikti vërejtëm se punëtorët dhe makinat nuk punojnë, por kishte vetëm disa gropa rreth objektit.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës në një përgjigje me shkrim pohon se problemi në konviktin studentor është zgjidhur para tri ditësh. Nga MASH, thonë se këtë informacion e kanë marrë nga Konvikti shtetëror.

“Problemi me ujin e ngrohtë në konviktin “Stiv Naumov”-Shkup, tashmë është tejkaluar, konkretisht është zgjidhur para tri ditësh. Bëhet fjalë për defekt në një prej pompave për ujë dhe Drejtoria ka reaguar menjëherë për ta zgjidhur këtë problem”, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Studentët vite me radhë po ankohen për kushtet në të cilat banojnë. Një pjesë e hapësirave të disa konvikteve studentore u rinovuan, kurse para disa vitesh u mbyll konvikti “Nevena Georgieva Dunja”, i njohur si “medicinalja”, në të cilin ishin akomoduar qindra studentë nga Fakulteti i Mjekësisë. Në vendin e tij, ishte paralajmëruar se do të ndërtohet një konvikt i ri, por deri më tani kjo ide nuk është realizuar.

Përgatiti: Jordanço Cvetanoski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU