“VENDIMI I IVANOVIT, SHANS I HUMBUR”, AHMETI: PATE SHANSIN TË PËRMIRËSOSH IMAZHIN

627
0
SHPËRNDAJE

“Presidenti Ivanov nuk e shfrytëzoi mundësinë që të përmirëson imazhin tek komuniteti shqiptar”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai tha se do të vazhdohet sipas procedurave deri në miratimin e plotë të ligjit, kurse sipas tij, nuk ka nevojë për amendamente shtesë, pasi që gjatë hartimit të ligjit është analizuar çdo rresht i kushtetutës.

“Nuk e kemi mirëpritur vendimin e Zotit Ivanov. Edhe pse Zoti Ivanov pati një shans për të përmirësuar imazhin e tij përpara komunitetit shqiptar, përpara qytetarëve të tij që nuk janë të paktë në Republikën e Maqedonisë, por për fat të keq kjo nuk ndodhi”, u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Për dallim nga Ahmeti, kryetari i partisë opozitare nuk deshi t’i ndanë as 10 sekonda prej kohës së tij që të komenton vendimin e djeshëm të Ivanovit.

G:Për ligjin për përdorimin e gjuhëve, si e komentoni vendimin e Ivanovit
“Brenda do të ketë deklaratë të plotë”, tha Hristijan Mickovski, Kryetar i VMRO-DPMNe-së.
G:Mirëpo qëndrimi juaj si kryetar i partisë
HM:”Deputeti Gjorçev do e kumtoj, ju faleminderit.”

Nga partia e tij thonë se vendimi i presidentit ka bazë, kurse sipas tyre këtë vendim e mbështesin edhe shumica e qytetarëve. Ata u bëjnë thirrje deputeteve që të rishikojnë ligjin dhe t’i dëgjojnë ekspertët. Nga ana tjetër, nga Lidhja Social Demokrate thonë se Ivanov ende nuk po mund të largohet nga politikat e ndarjes dhe përçarjes. Sipas koordinatorit të grupit parlamentar të LSDM-së, Tomisllav Tuntev, ligji vetëm se do të forcon karakterin unitar të shtetit dhe do të kontribuon në ndërtimin e një shoqërie për të gjithë. Sipas kryetarit të kuvendit, Talat Xhaferi, ligji do të jetë para deputeteve në fund të janarit ose më së voni në fillim të shkurtit.

“Shkurt e shqip, nëse Ivanov deri më 18 janar deri më 00:00 nuk e dekreton ligjin në afat prej 30 ditëve prej ditës që është votuar ligji, domethënë prej 11 janar 30 ditë nënkupton 10, 11 shkurti, në atë afat unë si kryeparlamentar duhet ta kthej në rivotim ligjin në parlament dhe ajo do të ndodhe në seancën e parë të radhës në të cilën do të debatohen projekte ligjore”, tha Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.

Në fjalimin e djeshëm, presidenti Ivanov tregoi edhe arsyet se përse nuk e dekretoi ligjin. Ai është i mendimit se ai u soll pa debat publik, kurse sipas tij, është përdorur edhe flamuri evropian që ligji të votohet me shumicë të thjeshtë.  Ai tha se miratimi i ligjit hap debat për ndryshime kushtetuese, që sipas presidentit janë të rrezikshme, kurse iu bëri thirrje edhe deputeteve që t’i marrin parasysh vërejtjet e tij kur të vijë koha për rivotim.

Përgatiti: Furkan Saliu

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU