Edhe pse është larguar nga fletëvotimi, LVV kërkon të votohet Kurti

TË FUNDIT

Ndonëse emri i tij është larguar prej listës së deputetëve nga ana e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga qytetarët që ta votojnë Albin Kurtin për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në një postim në Facebook, Vetëvendosje i ka ftuar simpatizantët e saj të votojnë për Kurtin, pasi sipas tyre secila votë do të numërohet.

“Secila votë për Vetëvendosjen – 127 – do të jetë e vlefshme! Mos i dëgjoni ata që thonë ndryshe. Votoni 127, pastaj zgjidhni jo më shumë se pesë numra kandidatësh nga lista jonë. Secila votë do të numërohet, që prej numrit 1 që është Albin Kurti, e deri në fund”.

“T’i japim mbështetje sa më të madhe Lëvizjes dhe kryeministrit tonë”, thotë LVV.

Ndërkaq, sipas KQZ-së pavarësisht mundësisë që numrat dhe emrat e kandidatëve të pacertifikuar mund të marrin numër të caktuar të votave, ato nuk do të formalizohen ligjërisht.