ZEJDI: “KASAMI NA PREU NË BESË”, DEPUTETËT E BESËS THONË SE JANË TË BASHKUAR

835
0
SHPËRNDAJE

Njëri nga themeluesit e Lëvizjes Besa, Skender Rexhepi-Zejdi ia hedh fajin Bilall Kasamit për krizën e krijuar në parti. Disa ditë më parë, kryetari Kasami ka shkarkuar Zejdin prej pozitave të Këshillit dhe Kryesisë qendrore, kurse ky i fundit ka mbledhur nënshkrimet e 64 anëtarëve të Këshillit qendror, duke shkarkuar Kasamin nga posti i kryetarit. Kjo bëri që të thirret Kongresi i parë i partisë më 24 shkurt.

“Shumë është e thjesht të dihet se ai që nuk dha përgjegjësi. Kush i preu në besë 58 mijë votues? Kush i preu në besë çështjen e shumicës? Si mund të mos lejojmë të vendosë shumica, kur shumica është i vetmi mjet demokratik”, u shpreh Skender Rexhepi-Zejdi, Lëvizja Besa.

Bilall Kasami, në emisionin e parmbrëmshëm të Click Plus-it, iu shtriu dorën e pajtimit Zjedit, Gashit dhe Ibrahimt, kurse mbrëmë në këtë emision debatues, Zejdi tha se Kasamin nuk e shkarkuan për shkak të ndonjë ambicie që ai vetë të bëhet kryetar, por thjeshtë nga ai kërkohet që të marrë përgjegjësi për humbjet e zgjedhjeve.

“Po nëse instalohet ‘institucioni’ përgjegjësi. Nuk duhet të japin dorëheqje, le të vijnë në atë mbledhje që ne e ofrojmë, kuptohet për këtë mbledhje duhet të marr edhe pëlqimin e ushtruesit të detyrës, i cili e drejton subjektin për momentin. Institucioni përgjegjësi është shpëtim për ardhmërinë e Lëvizjes Besa. I vetmi parim shpëtim, se të gjitha subjektet tjera që nuk kanë instaluar ‘institucionin’ e përgjegjësisë, të gjitha janë shkatërruar”, shtoi Skender Rexhepi-Zejdi.

Përçarjet në Kryesinë qendrore të kësaj partie deputeti i Lëvizjes Besa, Nexhbedin Kahremani thotë se nuk reflektuan edhe tek grupi i tyre parlamentar. Ushtruesi i detyrës së kryetarit, u shpreh se pesë deputetët janë të bashkuar dhe të gatshëm të marrin pjesë në punën e Kuvendit si një grup i vetëm.

“Për momentin të gjithë jemi bashkë dhe unik funksionojmë ashtu si më parë”, tha Nexhbedin Kahremani, Deputet i Lëvizjes Besa.

Edhe deputeti Fadil Zendeli ka thënë se grupi i deputetëve të kësaj partie do të funksionoj i unifikuar në pajtueshmëri me statutin dhe platformën e partisë. Ai refuzoi të përgjigjet se cilat direktiva do të dëgjojë, por pas përçarjes që ndodhi në këtë parti, në opinion ai është shfaqur bashkë me Bilall Kasamin.

“Çështjet dhe debatet që janë duke u zhvilluar brenda Lëvizjes Besa, mbeten çështje që duhet të trajtohen brenda organeve të Lëvizjes Besa. Në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që grupi parlamentar të përfshihet në çështjet e tyre. Ne si grup parlamentar vazhdojmë të sillemi si deri tash, të unifikuar dhe nuk ka kurrfarë ndryshimi në këtë drejtim”, tha Fadil Zendeli, Deputet i Lëvizjes Besa.

Përveç ndarjes në dysh të anëtarësisë qendrore, dokumentet tregojnë se grupi parlamentar i pesë deputetëve të Besës nuk janë në një linjë, duke votuar kundër Kasamit, deputeti Afrim Gashi, Rexhep Mehmedi dhe Nexhbedin Kahremani, kurse në krahun e kryetarit qëndrojnë Fadil Zendeli dhe Teuta Bilalli.

Përgatiti: Adnan Qaili   

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU