KUVEND, MIRATOHET LIGJI PËR SHQIPEN, XHAFERI FTON IVANOVIN TË REFLEKTOJË

576
0
SHPËRNDAJE

“69 deputetët e pranishëm votuan “PËR”, të përmbajtur asnjë, kundër jo. I lus deputet të cilët u takojnë komuniteteve që nuk janë shumicë në R.M-së të prononcohen për propozimin e ligjit. Ju lus të votoni. Të gjithë kanë votuar 28 deputet, prej tyre 27 “PËR” të përmbajtur 1 kundër asnjë”, u shpreh Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.

Të gjithë deputetët e shumicës parlamentare dhe opozitare, i dhanë dritë jeshile ligjit për gjuhët.

Munguan vetëm deputetët e opozitës maqedonase të VMRO-DPMNE-së.

Menjëherë para opinionit publik u drejtua kryetari i kuvendit Talat Xhaferi, ku tha se pas miratimit të këtij ligi, radhën e ka presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, për ta dekretuar ligjin brenda afatit 10 ditor.

“Në radhë është të veprojë përkatësisht të reflektojë kryetari i shtetit Gjorge Ivanov, i cili sipas procedurës brenda 10 ditëve nga marrja e tekstit të ligjit që është miratuar sot, duhet ta dekretojë të njëjtin dhe në aspektin hipotetik nëse ajo nuk ndodh brenda 10 ditëve, pas skadimit të afatit 10 ditor, eventualisht nëse nuk dekretohet, brenda 30 ditëve nga skadimi i afatit, ligji do të duhet t’i kthehet edhe një herë parlamentit në lexim të tretë, që nënkupton vetëm aktin e votimit të sërishëm dhe duke pasur parasysh numrat që kanë kaluar sot, mendoj se nuk do të ketë kurrfarë problemi  në seancën e radhës”, tha Xhaferi.

Ligji përmban 25 nene dhe parashikon që gjuha shqipe  të flitet në të gjitha organet e pushtetit qendror dhe lokal. Me këtë ligj do ketë ndryshime edhe në kartëmonedha, në uniforma të policisë, të shëndetësisë, zjarrfikësve, në ato komuna ku shqipja përbën të folurën e 20 përqindëshit të popullatës. Gjithashtu përdorimi i shqipes parashihet edhe në procedurat para noterëve dhe para përmbarueseve si dhe në komisionin shtetëror zgjedhor.

Ky ligj konsiderohet tërësisht kushtetues, duke mos kontestuar asnjë nen përkatës, vlerëson Osman Kadriu, gjykatës i sapozgjedhur në Kushtetuese.

“Ky propozim është në kuadër të normave kushtetuese, që të sigurohet gjuha shqipe, e barabartë me gjuhën maqedonase në nivel të shtetit dhe jashtë shtetit,  është e nevojshme të ketë paraprakisht intervenime kushtetuese me kushtetutën aktuale”, tha Osman Kadriu, Gjykatës Kushtetues.

Propozim-ligji i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë thuhet se është konform marrëveshjes midis partnerëve të koalicionit qeveritar, i bazuar në kushtetutën e vendit. Avancimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe ka imponuar mjete shtesë në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë edhe atë në vlerë prej 16 milionë denarëve. Debati për ligjin e gjuhëve në Kuvend filloi më 5 shtator të vitit të kaluar në Komisionin për Çështje Evropiane, ndërsa shumica parlamentare e aprovoi nevojën për miratimin e tij më 15 nëntor të vitit të kaluar. Partitë politike, përfshirë këtu VMRO-DPMNE-në, LSDM-në dhe Lëvizjen Besa, propozuan mbi 89 amendamente, por asnjëri prej tyre nuk u pranua.

Përgatiti: Zimer Jashari

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU