Reagon Pendarovski ndaj deklaratës së Ajdarit! Asnjëherë nuk kam pasur informacione për “Monstrën”

TË FUNDIT

Duke folur për rastin “Monstra”, Bedri Ajdari, familjar i të akuzuarve, mbrëmë në emisionin “Click Plus” tha se gjatë protestave të “Revolucionit laraman”, rastësisht e kishte takuar presidentin e tanishëm të shtetit Stevo Pendarovskin. Në bisedë e sipër, Pendarovski i kishte  thënë se po të zbulohen vrasësit e pesë viktimave te rastit “Monstra” do të ketë  luftë.

 “Jemi takuar para parlamentit me kryetarin e shtetit tani z. Pendarovski. Çfarë u bë e pyetëm, përse bombat nuk i shpalosi z.Zaev. Po e citoj, thotë, kam qenë prezent kur kanë ardhur këta të “Kodrës”, aludonte për amerikanët dhe i kanë thënë, ti a do të nxitësh luftë kur do ta kuptojnë njerëzit se kush janë vrasësit dhe kush janë fajtorët, atëherë të dy palët edhe shqiptarët edhe maqedonasit do të shkojnë para Qeverisë, aty do të shkojnë, por do t’i pret garda EBR, policia, njësiti special që do të bëhet gjakderdhje e madhe sepse do të shkojnë ta kapin Gruevskin për fyti se përse ka ndodhur kjo dhe përse janë fajësuar shqiptarët”, tha Bedri Ajdari – familjar i të akuzuarve në rastin “Monstra”.

Kjo deklaratë menjëherë ngriti reagimin e presidencës. Nga kabineti i Pendarovskit thonë se presidenti asnjëherë nuk është takuar me familjarët e të akuzuarve në rastin “Monstra”, duke hedhur poshtë deklaratën e Ajdarit si të pavërtetë.

 “Presidenti Pendarovski, në lidhje me rastin “Monstra”, asnjëherë nuk ka pasur takime me familjarët e të akuzuarve, dhe as nuk ka ndonjë informacion dhe dijeni në lidhje me vrasjet, të siguruara nga burime të institucioneve të vendit dhe të jashtme, as para periudhës para se të zgjedhet president dhe as pas asaj periudhe”, deklaroi Stevo Pendarovski – President i Maqedonisë së Veriut.

Që kur “Monstra” u kthye në rigjykim, materialet e përgjuara ose të ashtuquajturat “bomba”  të  opozitares së atëhershme LSDM ishin dëshmi të reja në procedurë. Kështu pritshmëritë në opinionin publik ishin të mëdha, se e vërteta do të dal në shesh, dhe se do të dihet se kush janë  vrasësit dhe cili është motivi i vrasjes. Megjithatë nuk u publikua asnjë bombë për ta ndryshuar kahjen e rastit. Prokuroria në fjalët përfundimtare kërkoi dënim të përjetshëm për 3 të akuzuarit e parë, e për dy të tjerët 10-15 vite burg, ndërsa për të akuzuarin Sami Luta, kërkohet të lirohet nga akuza për shkak se nuk ka dëshmi se ka kryer vepër penale.