DEPUTETËT KANË MARRË €5 MILION PËR 6 VJET, HULUMTIMI I “SKUP” PËR SHPENZIMET E TRANSPORTIT

974
0
SHPËRNDAJE

Deputetët e Maqedonisë janë më të paguarit në rajon. Të dhënat që i publikoi rrjeti hulumtues SKUP, tregojnë se nga viti 2010 deri në vitin 2016, 120 deputetët e Maqedonisë kanë marrë nga arka shtetërore afër 5 milion eurove vetëm për shpenzime transporti. Mesatarisht çdo deputet ka kërkuar kompensim në vlerë prej 40 mijë eurove për 6 vite, ndërsa në nivel vjetor në xhirollogaritë e tyre janë transferuar rreth 6,5 mijë euro, për benzin, pikë pagesa dhe shpenzime të tjera gjatë rrugës. Është shumë i dukshëm krahasimi me deputetët e rajonit. Ata edhe pse kanë kaluar më shumë kilometra, duke e pasur parasysh se vendet fqinje janë më të mëdha për nga territori se Maqedonia, megjithatë ata për shpenzime transporti kanë kërkuar më pak para.

SHPENZIMET E TRANSPORTIT 2010-2016

Maqedoni: 40 mijë euro për deputet

Slloveni: 36 mijë euro për deputet

Bullgari: 19 mijë euro për deputet

Kroaci: 14 mijë euro për deputet

Kosovë: 6 mijë euro për deputet

Deputetët këtë vit patën mundësi që ta ndryshojnë gjendjen me shkurtime të luksit. Por siç duket shumë rëndë po heqin dorë nga privilegjet që ligji ua mundëson. Për vitin e ardhshëm, gjithashtu në disponim kanë 1.3 milion euro, para të popullit për shpenzime transporti.

“Çdoherë kur në Kuvend miratohen ligje, deputetët thonë se ata janë kyçe për qytetarët. Por qëndrimet e qeverisë dhe opozitës në debate janë diametralisht të kundërta. Gjendja është ndryshe vetëm në një rast – Kur në kuvend sillet vendim për shpenzimet e transportit që mbulohen nga shteti.”

Përderisa qeveria e tanishme ishte në opozitë, rregullisht i kritikonte deputetët e shumicës parlamentare se i keqpërdorin rregullat dhe në mënyrë jo-transparente kërkojnë  para nga shteti për shpenzime transporti. Por gjatë ndryshimit të qeverisë, nuk ka ndryshime të ligjit e as ulje të shpenzimeve. Opozita e tanishme nuk dëshiron të komentoj për këtë çështje, ndërsa koordinatori i grupit të deputetëve të LSDM-së, Tuntev, problemin e adresoi tek infrastruktura, por edhe tek ajo se Maqedonia nuk ka transport publik adekuat.

“Nuk më ka shkuar as në fund të mendjes që unë 5 orë të ditës sime do t′i kaloj në veturë, nëpër rrugë katastrofale dhe të pasigurta. Nga Ohri në Shkup dhe pas, do të ulesha në tren të shpejtë, për një orë e tridhjetë minuta do të arrija, siç bëjnë kolegët tonë Holandez, Gjerman, Zviceranë. Po të kishim zgjedhje për transport publik, ne do të votonim për të”, u shpreh Tomisllav Tuntev, LSDM.

Deputetët nuk janë të vetmit që opinioni i njeh si shpenzues të mëdhenj gjatë udhëtimit nga shtëpitë e tyre deri në Shkup. Reagime të ashpra pati pasi që ambasadori amerikan, Xhes Bejli, zbuloi sa para për të njëjtën gjë kanë marrë anëtarët e KSHZ-së. Edhe në këtë funksion, Silvana Boneva ishte në maje sipas pagesës për shpenzime transporti, pasi që ajo për 6 muaj ka marrë 12 mijë euro për udhëtim në relacion Strumicë – Shkup –Strumicë.

Përgatiti: Ile Petrevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU