ZORAN ZAEV NË KOSOVË, “KUMANOVA ÇËSHTJE E NDJESHME, DO TË KETË HETIM NDËRKOMBËTAR”

952
0
SHPËRNDAJE

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev është pritur me ceremoni shtetërore nga Garda Ceremoniale  e FSK-së.  Më pas kryeministri i Kosovë Ramush Haradinaj zhvilloi një takim me homologun Zaev me ç ‘rast u diskutuan për avancimin e marrëdhënieve në fusha të ndryshme.

“Kjo vizitë është e rëndësishme. Republika e Kosovës, Republika e Maqedonisë, jemi fqinjë jeta na lidh. Fati ynë na lidh. Perspektiva euroatlantike na lidh, pra na bashkon. Edhe me këtë vizitë të sotme kemi mund me ndihmu, që marrëdhëniet tona mes Kosovës dhe Maqedonisë të përparojnë. Ato janë të mira, por të përparojnë. Edhe sot kemi marrë plot obligime, që besoj që do të kemi rastin t’i finalizojmë në të ardhmen dhe në takime të përbashkëta të dy qeverive. Pra të republikës së Kosovës dhe Maqedonisë, në interes të qytetarëve të dy vendeve tona”, tha Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, tha se shteti që ai e udhëheq do ta mbështes Kosovën në të gjitha proceset që kanë të bëjnë me integrimet dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

“Kosova mund të llogaris në mbështetjen nga Maqedonia në të gjitha proceset. Ne nuk duhet të harruar se gjithashtu e kemi fqinj dhe Serbinë dhe gjithmonë mbështetja jonë do të shkoj edhe në drejtim të zhvillimit të këtyre marrëdhënieve fqinjësore sa më të mira”, tha Zoran Zaev, Kryeministër i RM-së.

Zaev tha se me Kosovën janë nënshkruar 19 marrëveshje dypalëshe dhe se në pritje janë dhe 20 marrëveshje tjera, të cilat janë në interes të qytetarëve të dy shteteve të cilat ndajnë aspirata të njëjta për anëtarësim ne BE e dhe NATO. Paralajmëroi edhe mbajtjen e një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive në fillim të vitit të ardhshëm.

Në këtë takim u diskutua edhe për incidentin e armatosur në Kumanovë, i cili kishte ndodhur në maj të vitit 2015. U vlerësuar si çështje e cila duhet të hetohet edhe nga drejtësia ndërkombëtarë.

“Kjo është një çështje shumë e ndjeshme, të cilën nuk e ka provokuar as Zaevi as Ramush Haradinaj. Kjo është një çështje për të cilën qytetarët meritojnë të dinë të vërteten. Jemi dakorduar të ketë qoftë ndonjë hetim ndërkombëtar, ose të dërgohen përfaqësues ekspertë, të cilët do t’i ballafaqojnë të gjitha elementet e provat. Kjo është dhe në interes të bashkëpunimit tonë. Nuk duhet që kjo çështje të mbetet si një pengesë në marrëdhëniet tona. E dini se është çështje shumë e ndjeshme. Aty u vranë edhe disa policë. Pra do të ketë njëfarë hetimi ndërkombëtar, me qëllim që të arrihet te vërteta”, shtoi Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev është pritur edhe nga presidenti Hashim Thaçi. Pas takimit presidenti Thaçi vuri në pah marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe tha se Kosova dhe Maqedonia nuk kanë çështje të hapura.

“Presidenti na dha mbështetje për projektine përbashkët për zhdoganimin e mallrave i cili do të ndikojë në kalimin më të shpejt të kufirit. Kjo do te nxisë bashkëpunimin midis bizneseve. Biseduam edhe për demarkacionin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi dhe konstatuam se kjo çështje duhet të zgjidhet. Poashtu ne mbështesim edhe dialogun Prishtinë-Beograd për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve që do të ndikojnë edhe ne bashkëpunimin e tere rajonit”, theksoi Zaev.

Gjatë ditës kryeministri i Maqedonisë Zaev është takuar edhe me kryeparlamentarin Kadri Veseli.

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU