DELEGATËT E VMRO-së “BORXHLI” TË GRUEVSKIT, AI SIGURON QË NUK PËRZIHET NË ZGJEDHJEN E KRYETARIT TË RI

583
0
SHPËRNDAJE

“Delegatët janë të njëjtit, ata të cilët kanë qenë në kongresin e kaluar të rregullt…”, tha Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.

Të njëjtët delegatë që kanë votuar Nikolla Gruevskin për kryetar të partisë, do të duhet ta zgjedhin kryetarin e ri të VMRO DPMNE-së. Rreth 70% të delegatëve nga numri i përgjithshëm që do të votojë për kryetar të ri, kanë pasur poste publike, ose kanë filluar karrierën politike në kohën e qeverisjes së Nikolla Gruevskit. Anëtari i kësaj partie, Filip Petrovski, i cili hapur deklaroi se do të kandidojë për postin e kryetarit të partisë, publikisht denoncoi se anëtarët e vjetër të partisë po margjinalizohen, kurse ata që sipas tij janë të ardhur, po favorizohen. Fakti se Gruevski ka qenë gjatë kohë në krye të partisë, hapi dilemat në opinion se fituesi mund të jetë vetëm ai kandidat që e ka përkrahjen e tij. Por ish-kryeministri, në një postim në fejsbuk, shpjegoi se nuk do të favorizojë asnjërin prej kandidatëve.

“E informoj opinionin, dhe posaçërisht anëtarësinë dhe delegatët e kongresit se emrat të cilët përfliten në media si kandidatë potencial për kryetar të VMRO DPMNE-së, janë bashkëpunëtorë dhe miq të mi për një kohë të gjatë. Bashkë kemi punuar dhe bashkë kemi sjellë vendime në parti, kurse me disa prej tyre kemi bashkëpunuar edhe në qeveri. Kemi ndarë momente të mira dhe të këqija, me të gjithë nga ata kam marrëdhënie të mira si zyrtare ashtu edhe private. Për këtë shkak unë nuk kam ndërmend të përzihem në vendimin e delegatëve, as të sugjeroj se kë duhet ta përkrahin për kryetar të VMRO DPMNE-së”, tha Ish-kryetari i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski.

Gruevski nuk la pa i përkujtuar kandidatët për përgjegjësinë që do ta kenë në të ardhmen, kurse për kryetarin e ri tha se do të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit. Për Aleksandar Mihajllovskin, njërin nga iniciatorët për reforma në parti, thotë që me largimin e Gruevskit është hapur rruga për demokratizimin e VMRO DPMNE-së, por veprimi i tyre nuk do të ndalet deri sa të ndryshohet statuti i partisë.

“Dorëheqja e Gruevskit e hap rrugën për demokratizim dhe modernizim të VMRO DPMNE-së. Ne kemi me 17 të këtij muaji mbledhje, ku do të vinë përfaqësues nga e gjithë Maqedonia”, tha Aleksandar Mihajllovski, Reforma në VMRO-DPMNE.
Mihajllovski thotë se kanë përkrahjen edhe të delegatëve aktual, kurse përveç atyre që do t’i përkrahin reformatorët, disa nga delegatët nuk do të kenë të drejtë të jenë prezent në ditën e votimit, i tillë është rasti është edhe me:

Mitko Çavkov – Në paraburgim, i dyshuar për “Kërcënim terrorist i rendit kushtetues dhe sigurisë”
Sasho Vasilevski – Në paraburgim, i dyshuar për “Kërcënim terrorist i rendit kushtetues dhe sigurisë”
Kërsto Mukovski – Në paraburgim, i dyshuar për “Kërcënim terrorist i rendit kushtetues dhe sigurisë”
Sokol Mitrevski – Burg shtëpiak, i dyshuar për keqpërdorim i detyrës zyrtare
Johan Tarçullovski – Burg shtëpiak, i dyshuar për “Kërcënim terrorist i rendit kushtetues dhe sigurisë”

Përveç këtyre, mbi 30 delegatë tjerë janë nën hetim të Prokurorisë Themelore Publike ose të Prokurorisë Speciale Publike, kryesisht për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Përgatiti: Furkan Saliu

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU