Maqedonia, shteti që vështirë jep shtetësinë! Dauti: Thërrasin “shoqëri për të gjithë”, por s’janë gati të japin shtetësi

TË FUNDIT

Shtetësia e mohuar e atyre që me vite jetojnë në Maqedoninë e Veriut dhe përpjekjet e koalicionit Aleanca për Shqiptarët-Alternativa për ta rregulluar këtë përmes propozim-ligjit, ishte tema për të cilën u fol mbrëmë në ClickPlus. Deputetja e koalicionit, Ilire Dauti, tregoi se propozimi i tyre është që shtetësia të mund të merret 4 vite pas qëndrimit në shtet, ndërsa kritikat e Qeverisë ndaj ligjit, i quajti rënie të maskave.

“Ky ligj, më lejoni ta them publikisht, me sa duket hoqi edhe maskat e shumë njerëzve të cilët nën moton “shoqëri për të gjithë” po, por ama si duket shtetësi për të gjithë nuk janë të gatshëm që të japin, së paku për ata të cilët i plotësojnë kushtet”, u shpreh deputetja e ASH, llire Dauti.

Dauti tregoi më tej se edhe kur qytetarët plotësojnë të gjitha dokumentet e nevojshme  për marrje të shtetësisë, refuzohen me justifikimin “rrezik për shtetin”. E përveç vështirësisë për marrje të shtetësisë, lehtë nuk është aq marrja e një leje qëndrimi. Juristja Jonida Mete Kiki, ka 3 vite që jeton në Maqedoninë e Veriut dhe vazhdimisht e rinovon leje qëndrimin e saj, por thotë se ka vënë re që gjithnjë dalin kërkesa për më shumë dokumente.

“Dhe çfarë është më e keqja në listat që i publikojnë në dyert e tyre nuk janë ato përfundimtaret. Pasi ke kaluar gjithë kalvarin e gjatë të kalimit të kufijve në kohë pandemie, pagesave jo proporcionale të shqiptarëve në raport edhe me serbët ose malazezët, gjithashtu edhe përkthimet që u janë atashuar vetëm shqiptarëve”, u shpreh Mete-Kiki.

Krejt këto probleme, sipas analistit Latif Mustafa, vijnë nga neglizhenca e shtetit ndaj kësaj kategorie qytetarësh.

“Këta qytetarë janë kurban të kësaj neglizhence shtetërore për t’i integruar, përqafuar dhe për t’i përfaqësuar si qytetarë të këtij vendi”, tha Mustafa.

Gjatë debatit u fol edhe për platformën e Aleancës për Shqiptarët “shtetësia.mk” ku qytetarët mund të denoncojnë problemin e tyre për marrje të shtetësisë. Deputetja Dauti zbuloi rastin e një qytetareje e cila ka shkruar se ka kryer punë vetëm pasi ka dhënë 5 mijë euro. Dauti kërkoi nga partitë shqiptare në pushtet të bëjnë presion për ta çuar përpara propozim ligjin për shtetësinë të propozuar nga opozita shqiptare.