HRW kërkon zgjidhje të menjëhershme të krizës së emigrantëve në BeH

TË FUNDIT

Organizata për të drejtat e njeriut “Hjuman Rajts Vatç” (HRV) i bëri thirrje sot Bosnje e Hercegovinës që të marrë masa të menjëhershme për të siguruar mbrojtjen e qindra emigrantëve që qëndrojnë në kushte jo-humane. Thirrja ka të bëjë kryesisht me emigrantët që janë akomoduar në afërsi të Bihaqit.

“Qindra emigrantë dhe azilkërkues në pjesën veriperëndimore të Bosnje e Hercegovinës kalojnë ditët e tyre të dimrit në kushte të vështira pasi autoritetet lokale kanë dështuar vazhdimisht të marrin masa për të përmbushur nevojat e tyre themelore”, deklaroi zëdhënësja e HRV, Lidija Gejll.

Sipas HRV-së, nuk lejohet që qindra emigrantë të qëndrojnë nën tenda në kushtet e dimrit dhe pa kujdesin e duhur mjekësor, dhe për këtë arsye kërkohen masa urgjente për të siguruar akomodimin e duhur.

Kritikat e bëra ndaj autoriteteve të Bosnjë dhe Hercegovinës i referohen kryesisht kampit të improvizuar të refugjatëve Lipa në afërsi të Bihaqit.

Një qendër pritje me më shumë se një mijë emigrantë nën çadra u krijua në Lipa, verën e kaluar, por në dhjetor Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), e cila operonte qendrën, vlerësoi se nuk mund të garantonte strehim të sigurt në dimër, sepse tendat mund të shembeshin nën peshën e borës.