Ekspertët e OBSH-së për koronavirus të enjten vizitojnë Kinën

TË FUNDIT

Dhjetë shkencëtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë do të vizitojnë Kinën të enjten, për të hetuar origjinën e koronavirusit, kanë thënë autoritetet të hënën, pas më shumë se një viti prej kur ka nisur pandemia, dhe në mesin e akuzave se Pekini ka tentuar të pengojë hetimet.

Misioni i shumëpritur përbën rëndësi të madhe politike, në kohën kur pandemia e koronavirusit ka shkatërruar botën, ka shkaktuar gati 2 milionë vdekje dhe ka dëmtuar rëndë ekonominë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë “do të kryejë hetim të përbashkët për origjinën e koronavirusit, bashkë me shkencëtarët kinezë”, ka thënë Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë, përmes një deklarate, pa dhënë detaje shtesë.

Shtyrja e misionit në minutën e fundit më herët gjatë këtij muaji, është pritur me kritika të mëdha nga udhëheqësi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ai ka thënë se ka qenë “shumë i zhgënjyer” që Kina nuk ka autorizuar hyrjen e ekipit – sidomos pasi dy anëtarë veçse janë nisur.

Ekspertët e OBSH-së do të duhet t’i nënshtrohen masës së karantinës për dy javë pas hyrjes në Kinë.

Më pas ata pritet të vizitojnë Vuhanin – qytetin ku është identifikuar për herë të parë virusi më 2019./rel