Buçkovski niset për në Sofje

TË FUNDIT

I dërguari special  i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për Bullgarinë, Vllado Buçkovski sot arrin  për vizitë në Sofje, lajmëruan mediat bullgare.

Për arritjen e sotme të Buçkovskit në Sofje ende nuk ka vërtetim zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme, e cila sërish gjatë fundjavës kumtoi se  ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani javën e kaluar ka realizuar  komunikim me shefen e  diplomacisë bullgare Ekaterina Zaharieva dhe është dakorduar  që në ditët në vijim të këmbehen propozime  nga të dyja anët e Planit aksionar.

MPJ theksoi se detyra e përfaqësuesit special Buçkovski është rregullisht të udhëtojë për në Bullgari me qëllim të ndjekjes së Planit aksionar dhe nxitjes së bashkëpunimit të ministrive të linjës.

“Në këtë drejtim është pritur që në periudhën në vijim të realizojë  udhëtime të shpeshta  në relacionin Shkup-Sofje, shtojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme në kumtesë, e cila ishte publikuar gjatë fundjavës.

Sipas mediave bullgare vizita e Buçkovskit në Sofje do të zgjasë disa ditë. Buçkovski ishte  për vizitë në Sofje në fillim të dhjetorit. Atëherë ai mbajti takim me Zaharievën, kryeministrin Bojko Borisov dhe me ministrin e Mbrojtjes Krasimir Karakaçanov.

Osmani dje në intervistë për Radion Evropa e Lirë porositi se  nuk mund t’i shohim  fqinjët me syzet e njejta  nga e kaluara  dhe shtoi se zgjidhja e vetme  dhe formula për Bullgarinë  është të kthehemi në parimin  e Marrëveshjes,  por edhe të gjenden mekanizma  se si të bëhet më i shpejtë, më dinamik që të krijohen rezultate.

Sipas tij,  kontestuese janë dallimet në pritjet për shpejtësinë e implementimit, për dinamikën, për qëllimin e implementimit të Marrëveshjes.