DEBAT PËR MEDIAT, LIGJI I RI DUHET T′IA KTHEJË KRENARINË PROFESIONIT

1466
0
SHPËRNDAJE

Procesi i reformimit të sferës mediatike vazhdoi me debat publik rreth ndryshimit të ligjit për mediat. Në një vend u mblodhën të gjithë palët: ministrat, pronarët dhe udhëheqësit e mediumeve, gazetarë dhe shoqata. Nga qeveria theksuan se deri më 30 nëntor, do t′i presin vërejtjet dhe propozimet e palëve të interesuara, me qëllim që të përpilohet ligj i cili do të jetë i pranueshëm për të gjitha palët. Megjithatë, Naser Selmani nga SHGM-ja nuk pajtohet me një pjesë të ndryshimeve ligjore.

“Praktikisht dëshironi që etikën gazetareske ta rregulloni me ligj, ju dëshironi të luani rolin e gjyqit ose rolin e redaktorit kryesor. Unë po ju them se nëse dëshironi ta bëni këtë, do të vendosni censurë në  Maqedoni, e cila është e ndaluar me kushtetutë”, tha Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.

Nga qeveria thonë se janë të gatshëm t′i shfuqizojnë dënimet e larta në të holla për informim joprofesional dhe për përdorim të gjuhës së urrejtjes. Ministri Damjan Mançevski theksoi se do të mbështeten zgjidhjet cilësore e jo ato të nxituara.

“Në Maqedoni nuk janë problem ligjet. Ne kemi ligje të mira. Në Maqedoni problem është respektimi i ligjeve. Ky ligj të cilin do e sjellim tani, mund të jetë një nga ligjet më të mira në gjithë botën. Askush në botë të mos ketë ligj më të mirë se ky, por nëse ne nuk e respektojmë atë,  është i kotë i gjithë mundi”, u shpreh Mançevski.

Për shumicën e pjesëmarrësve në këtë debat,  financimi i servisit publik nga mjetet buxhetore, ishte një nga problematikat kryesore që kishte të bëjë me ndryshimet ligjore të propozuara.

“Heqjen e taksës radiodifuzive, nga aspekti i politikës mediatike e vlerësoj si joparimor, për shkak se kjo ndodhi sipas parimit të “ Marrëveshjes së Przhinos”, tha profesori, Klime Babunski.

Qëllimi i vërtet i ndryshimit të ligjit, janë profesionalizimi dhe departizimi i mediave në vend, deklaroi Robert Popovski, ministri për transparencë dhe llogaridhënie. Ai i bëri thirrje edhe opozitës që të jetë transparente dhe të mos bllokohet procesi i miratimit të këtij ligji për shkak se ai duhet të votohet me shumicë prej  dy të tretash.

“Dëshira e kësaj qeveria është që t′i vendosim rregullat e lojës. Të mos thuhet pastaj se shumë çështje kanë mbetur të hapura dhe se ka probleme në këtë profesion, për shkak se nuk kemi qenë efikas dhe nuk kemi arritur përmirësim në këtë sferë”, tha minisri pa resor, Robert Popovski.

Gjendja në mediat në vitet e fundit, është kritikuar ashpër edhe nga faktori ndërkombëtar. Sipas tyre, në Maqedoni, ka rënie të lirisë së shprehjes, ndërsa ka pasur vërejtje edhe në raportin e Pribe-së. Përndryshe ende mbetet e hapur pyetja se a do të ketë ndryshime në mënyrën e vlerësimit të shikueshmërisë dhe rejtingut,  prej çka varet edhe biznesi i plotë me reklama. Kjo problematikë, në nivel vjetor kushton 15 milion euro.

Përgatiti: Ile Petrevski                

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU