Filipçe e vlerëson si pozitive situatën me Covid-19! Cana: Në kohë festash edhe numrat janë festiv

TË FUNDIT

Ministrit të Shëndetësisë gjendja aktuale epidemiologjike me Covid19 i duket e shkëlqyeshme. Venko Filipçe në një intervistë për RTM tha se numri i rasteve pozitive me virusin korona ka rënë dukshëm, e për këtë i lëvdoi qytetarët. 

“Gjendja është e shkëlqyeshme dhe ka rënë shumë presioni. Merita të mëdha më duhet të them kanë qytetarët, është evidente se po i respektojnë masat, edhe bartjen e maskave, distancën, anashkalimin e tubimeve, rekomandimet për mbylljen e objekteve hotelierike, atëherë kur prisnim që do të ketë grumbullime përpara periudhës së Vitit të Ri. Në mënyrë serioze po zvogëlohet përqindja e rasteve pozitive nga testimet e përgjithshme”, deklaroi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.

Optimist sikurse Filipçe nuk është edhe infektologu Fadil Cana. Ai vlerëson se numri i ulët i të infektuarve në nivel ditor është rezultat i reduktimit të numrit të testimeve. Sipas Canës pasqyra reale mbi situatën me virusin korona do të shihet dy javë pas përfundimit të festave.

 “Në këtë kohë festash edhe numat janë festiv. Është rezultat i testimit, i cili në volum shihet dukshëm që ka rënë dhe në bazë të vlerësimeve të shifrave që dalin pozitive, duket që ka një rënie, por duke pas parasysh se jemi në vlugun e festave mendoj që pasqyra reale e situatës do të mundet të shihet më së miri pas dy javëve”, u shpreh infektologu, Fadil Cana.

Cana mendon se numri i rasteve pozitive mund të na befasojë, për shkak se qytetarët kanë lëvizur dhe udhëtuar shumë përgjatë festave.

 “Në dukje është një percepcion tjetër, meqë tërë kohës kemi lëvizje, pa marrë parasysh se ata i përmbahen masave, por si pasojë e lëvizjes teorikisht ekziston mundësia që të rritet dhe të shtohet numri i infektimeve”, thotë Fadil Cana – Infektolog.

Përndryshe raporti i Institutit të shëndetit publik për javën e kaluar thotë se janë kryer 10,778 teste dhe janë regjistruan 2,239 raste pozitive, ndërkaq raporti i para dy javëve tregon se janë realizuar 13.123 teste dhe ka pasur 3.372 të infektuar. Ministri i shëndetësisë Filipçe ka thënë se masa të reja ose zbutje të atyre aktuale do të ketë në varësi nga rastet e reja me korona në nivel ditor.