Mediat botërore për protestat në Uashington

TË FUNDIT

Protestat në Uashington dhe hyrja e protestuesve në Kongres me qëllim që ta pengojnë verifikimin e fitores së Xho Bajdenit është dënuar në mediat botërore. Një pjesë e titujve janë “Tramp e dogji Uashingtonin”, “Demokracia nën rrethim”, ose “Çmenduria e grusht shtetit”.

Për pjesën më të madhe të mediave botërore për dhunën fajtor është presidenti në largim Donald Tramp pasi i ka inkurajuar protestuesit.

Gazeta britanike “Tajms” në ballinë publikoi se “Ithtarët e Trampit kanë ndërhyrë në zemrën e demokracisë amerikane” ndërsa “Dejli telegraf” me titull “Demokracia nën rrethojë” i përshkroi “skenat e dhunshme dhe kaosin si të pa precedentë” në Uashington.

“Guardiani” ngjarjet e djeshme në Uashington i vlerësoi si “sfida më dramatike për sistemin demokratik amerikan që nga lufta civile”.

Një numër i madh i gazetave ditore evropiane protestat e djeshme i vlerësuan si “kaos” dhe “turp”. Gazeta gjermane “Di Velt” në ballinë publikoi tekst me titull “Dita e turpit për demokracinë amerikane”. Korrespondenti i Uashingtonit, Klemens Vergin thekson se “SHBA-ja e përjetoi tentimin e parë për grusht shtet të dhunshëm”.

“Presidenti, gënjeshtrat e tij dhe republikanët pakurizorë janë përgjegjës për këtë”, theksoi Vergin.

Edhe gazeta spanjolle “El Pais” pohon se kaosi në Uashington është inkurajuar nga Trampi.

Gazeta italiane “La Republika” e krahasoi Trampin me diktatorin italian Benito Musolini dhe ardhjen e tij në pushtet në vitet e 20-ta të shekullit të kaluar.

“Amerika e gjithë Amerika në televizion drejtpërdrejtë i ndoqi ngjarjet të cilat ngjanin në marshin në Romë – hyrja e dhunshme në Kapitoll dhe sulmi i demokracisë së shenjtë”, theksoi autorja e tekstit Maria Platera.

Derisa gazeta franceze “Liberasion” theksoi se “Trampi e dogji Uashingtonin”.

“SHBA-ja ra në nivelin e shteteve latinoamerikane”, publikoi gazeta braziliane “O Globo”.

Ndërsa gazeta egjiptiane “Al Ahram” ngjarjet e djeshme i vlerësoi si “vdekje e lirisë amerikane dhe dështim i vlerave që SHBA-ja në mënyrë të palodhshme tenton t’i përhapë në mbarë botën dhe të cilat i përdorin si arsye që të ndërhyjnë në punët e shteteve të tjera”.