MAQEDONIA GATI PËR ZGJEDHJE, KSHZ: 1.814.644 VOTUES KANË TË DREJTË VOTE

736
0
SHPËRNDAJE

Një ditë para zgjedhjeve komunale komisioni qendror zgjedhor në Maqedoni hapi qendrat e votimit në burgje, ku të drejtë vote kanë rreth 1882 votues. Qendrat e votimit janë hapur në orët e para të mëngjesit dhe sipas komisionit zgjedhor procesi është zhvilluar pa problem. Nga ana tjetër të gjithë personat e pafuqishëm kanë votuar me ndihmën e bordeve zgjedhore.

“Gjatë ditës së sotme bordet zgjedhore në Republikën e Maqedonisë do ta realizojnë edhe votimin e personave të cilët janë të sëmurë ose janë në burgim shtëpiak dhe të cilët deri tek komisionet zgjedhore komunale kanë dorëzuar lajmërim me dokumentacionin e duhur. Të drejtën e tyre për votë nga shtëpitë e tyre do ta realizojnë gjithsej 5025 qytetar”, tha Lupka Guguçevska, KSHZ.

Ditën e diel, në 80 komuna, mbi 1.8 milion qytetarë pritet të dalin për të votuar 260 kandidatët për kryetar. Gjithashtu qytetarët kanë mundësinë që të votojnë edhe për anëtarët e këshillave komunal.

“Në zgjedhjet e sivjetme lokale në 80 Komunat dhe në Qytetin e Shkupit si njësi e posaçme e qeverisjes lokale marrin pjesë 260 kandidat për kryetar komunash dhe 6627 kandidat në 372 lista për anëtar të këshillave komunal. Në listën zgjedhore janë regjistruar gjithsej 1 814 644 votues”, shtoi Guguçevska.

Edhe këto zgjedhje kanë marrë interesimin e organizatave joqeveritare të vendit dhe të huaja. Mbi 500 mbikëqyrës vendor dhe të huaj do të jenë në qendra të ndryshme votimi, ndërkohë që interes kanë shfaqur edhe mediat jashtë territorit të Maqedonisë. 6 gazetarë janë akredituar nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Procesi zgjedhor ditën e nesërme fillon nga ora 7 e mëngjesit  në të gjitha pikat e votimit dhe do të zgjat deri në ora 19.

Përgatiti: Ardi Zhuta

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU