Interpelancë ndaj Grubit dhe Osmanit? Mexhiti as nuk pohon e as mohon, do të heshtë në 100 ditët e para!

TË FUNDIT

Shefi i grupit parlamentar të BDI-së, Izet Mexhiti, as nuk i pohon e as nuk i mohon zërat se në Kuvend do të ngre interpelancë për dy ministrat e partisë së tij, zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi si dhe Ministrit për Punë të Jashtme, Bujar Osmani.

 “Tash as nuk e pohoj e as nuk e mohoj këtë gjë. Deri në mbarimin e 100 ditëshit të Qeverisë nuk do të prononcohem. Do të flas pas 100 ditëshit”, tha Izet Mexhiti.

TV21 kërkoi qëndrim si nga zëvendëskryeministri Grubi po ashtu edhe nga Osmani, por nuk morëm asnjë reagim prej tyre.

Kjo nuk është hera e parë që përflitet për interpelancë të Qeverisë. Para rreth një muaji këtë gjë e përmendi Blerim Bexheti, po ashtu kuadër i BDI-së.

Blerim Bexheti: “Është një rregull i pashkruar në tërë kontinentin tonë, 100 ditëshi i jepet qeverisë, nuk i ngritet as interpelancë e kështu me radhë… dhe normalisht pastaj duhet të…

TV21: Si po ma përmendni interpelancën…

Blerim Bexheti: “Pastaj duhet të vazhdohet të punohet…”.

Interpelancë paralajmëron edhe VMRO-DPMNE-ja, për të kërkuar përgjegjësi për bllokadën e Bullgarisë në rrugën eurointegruse të Maqedonisë.

“Gjatë javës së ardhshme duam që të ngremë iniciativë në Kuvend për interpelancë të zëvendëskryeministrit për çështje evropiane, z.Nikolla Dimitrov, sepse ai thoshte se duhet të votojmë për Maqedoni evropiane dhe se marrëveshja me Bullgarinë do të na i hapë dyert e BE-së”, tha Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Për të njëjtën arsye dorëheqje kërkon edhe opozita shqiptare, e si rrjedhojë mbështetë edhe interpelancën.

 “Po unë sot kërkova dorëheqje të Ministrit ët Punëve të jashtme, po ashtu edhe të kryeministrit dhe Ministrit për Bashkimin Evropian dhe është e logjikshme që kur kërkon dorëheqje, të përkrahësh edhe interpelancën e kujtdo ministri të kësaj qeverie, por unë nuk besoj se interpelanca do të shërbejë për gjë. Interpelanca do të shërbejë vetëm për debate politike”, deklaroi Ziadin Sela – Kryetar i ASH-së.

Interpelanca është institut kontrolli që mund të parashtrohet për veprimtarinë e çdo bartësi të funksionit publik, Qeverisë dhe çdo anëtari të saj individualisht, si dhe për çështjet nga veprimtaria e organeve shtetërore. Interpelancë mund të paraqesin më së paku 5 deputetë. Interpelanca parashtrohet me shkrim dhe i drejtohet Qeverisë ose bartësit të funksionit publik për punën e të cilit ka të bëjë interpelanca. Pas marrjes së përgjigjes së interpelancës, hapet debati në Kuvend që përfundon me votim që shpreh kënaqësinë ose pakënaqësinë e Kuvendit me sqarimet të marra nga bartësi i funksionit publik ose Qeverisë. Mungesa e një kënaqësie të tillë mund të shërbejë si shkak për ngritjen e përgjegjësisë politike ose dorëheqjen e Qeverisë ose bartësit të funksionit publik.