ASH: BDI e ka instrumentalizuar edhe BFI-në për interesa politike-partiake!

TË FUNDIT

Aleanca për Shqiptarët nëpërmjet një komunikate të lëshuar mediave, ka reaguar në lidhje me deklaratën e ish-kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi i cili mbrëmë në Click Plus në TV21, tha se për dorëheqjen e tij kanë ndikuar dy zyrtarë të BDI-së.

Në reagimin e ASH-së thuhet se BDI e ka instrumentalizuar edhe BFI-në për interesa të ngushta politike partiake.

Reagimi i plotë i ASH-së

BDI ashtu si çdo institucion tjetër administrativ, gjyqësor , por edhe arsimor e ka instrumentalizuar edhe institucionin e Bashkësise Fetare të Maqedonisë së Veriut për interesa të ngushta politike-partiake.

Pohimet e ish kreut të BFI për infiltrimin e zyrtarëve te BDI në zgjedhjen ose ne shkarkimin e kreut të këtij institucioni janë edhe një dëshmi më shumë se BDI në vazhdimësi ka cënuar rolin dhe misionin e BFI-së duke ndërhyrë politikisht për t’i plotësuar objektivat partiake duke shkelur mbi dispozitat normative të vetë BFI por edhe Kushtetutën së RMV, e cila garanton funkisionin e pavarur të këtij institucioni. Maqedonia Veriore është shtet sekular dhe religjioni është i ndarë nga shteti.

Është po aq e papranueshme kur ish kreu i BFI ka pranuar të bëhet instrument i BDI-apo i cilës do partie tjetër, për qëllime të tjera që nuk ndërlidhen me kompetencat e kreut të BFI-së.

Këto veprime joparimore të ish kreut të BFI si dhe të BDI, me të drejtë i kanë detyruar besimtarët mysliman që ta humbin besimin tek ky institucion i cili duhej të ishte i pavarur dhe me kredibilitet të plotë për t’ju shërbyer besimtarëve mysliman por edhe gjithë qytetarëve në ruajtjen, dhe kultivimin e vlerave njerëzore si dhe afirmimin e besimit mysliman.

Është koha që ti jepet fund manipulimit të BDI që nuk njeh as formë e as mënyrë për të qëndruar në pushtet duke manipuluar dhe politizuar çdo institucion madje edhe Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut.

Apelojmë tek gjithë zyrtarët e BFI por edhe tek myftitë e Xhamive që gjatë procesit të zgjedhjes së kreut të ri të BFI mos të lejojnë ndërhyrjen e BDI por edhe të cilit do subjekti tjetër politik.

T’i respektojnë të gjitha dispozitat e akteve normative që i përcakton Kushtetuta e BFI, të sigurojnë një proces transparent dhe demokratik duke e bërë zgjedhjen më të mirë të Kreut të BFI i cili do tja kthente dinjitetin këtij institucioni i cili i përfaqëson besimtarët mysliman në Maqedoninë e Veriut!