Kovatçev: Të hiqet “Okupatori fashist Bullgar”! Osmani inkurajon historianët të gjejnë bazë për të zbutur tonet

TË FUNDIT

Gjithnjë e më shumë po duket se figura e Goce Dellçevit dhe ajo periudhë historike në fakt nuk është thelbi i kontestit mes Shkupit dhe Sofjes. Sipas deklaratave të eurodeputetit bullgar Andrej Kovatçev, duket se shqetësimi i shtetit fqinj më shumë është për periudhën e Luftës së Dytë Botërore, kohë kur territori i tanishëm i Maqedonisë, ishte nën pushtimin bullgar, ose administrimin bullgar, siç po kërkon ai.

“I propozoj qeverisë në Shkup të gjitha pllakat dhe monumentet që thonë “okupatori fashist Bullgar” të ndryshohen në “pushtuesi nazist gjerman i Mbretërisë së Jugosllavisë dhe administrata e përkohshme bullgare e përbërë kryesisht nga maqedonas”, theksoi Andrej Kovatçev – Eurodeputet. 

Shefi i diplomacisë sonë, Bujar Osmani, pa përgjigje për këtë kërkesë! Inkurajon për zbutje të toneve mes Shkupit dhe Sofjes.

 “Unë nuk mund të interpretoj se çfarë ka dashur të thotë z.Kovatçev, ajo që mund të them në lidhje me ndjeshmërinë  ndaj kualifikimeve që i japim njëri-tjetrit për çështjet historike, është se unë i inkurajoj komisionet dhe historianët që nëse gjejnë bazë për zbutje të tonit të kualifikimeve për çështjet historike reciproke, në interes të përmirësimit të së tashmes dhe së ardhmes, unë i inkurajoj që ta bëjnë këtë”, deklaroi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Se problem esencial është periudha e Luftës së Dytë Botërore, ditë më parë për TV21 e tha edhe historiani Skender Asani. Më konkretisht ai konsideron se deportimi i hebrenjve është një barrë historike që Bullgaria dëshiron ta heqë nga vetja.

TV21: Ka ppërpjekje që Bullgaria t’i kërkojë Maqedonisë ta marrë këtë barrë historike?

Skender Asani: “Nuk shihet ajo në bisedime, por në ecensë është. Bullgaria dëshiron të pastrohet me të kaluarën historike duke e shfrytëzuar pozitën në Unionin Evropian”.

Ministri për Punë të Jashtme mohon një gjë të tillë.

 “Nuk mendoj se ka kërkesë nga Republika e Bullgarisë që Maqedonia e Veriut të merr përgjegjësi për deportimin e hebrenjve gjatë periudhës së LDB, mendoj se kjo është një keqinterpretim i asaj ata kërkojnë, që Republika e Bullgarisë në atë periudhë të mos quhet okupator fashist, por jo edhe të merret përgjegjësia…”, tha Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Ministri për Punë të Jashtme tregon se gjatë debatit në Bruksel, Bullgaria ka kontestuar emrin e shkurtër të shtetit dhe gjuhën. Emri i shkurtër “Maqedoni e Veriut, tregon Osmani, ka ngritur shqetësime në palën bullgare se kjo mund të interpretohet si pretendim territorial të rajonit historik Maqedoni, e për këtë Shkupi zyrtar është i gatshëm të japë shpjegime shtesë se nuk ka asnjë lloj pretendimi territorial. Osmani kërkon nga historianët përpjekje për zgjidhje, sepse konsideron që një zgjidhje e politike do të ishte gjithnjë e kontestueshme. Është optimist se gjatë kësaj periudhe do të tejkalohen dallimet dhe do të fillohen negociatat anëtarësuese.