Vdiq aktori i njohur, Shkëlzen Rraci

TË FUNDIT

Ka vdekur sot në moshën 44 vjeçare aktori i njohur kosovar, Shkëlzen Rraci. Lajmin për rtv21.tv e ka konfirmuar aktori Xhalal Haliti. Ai ka bërë të ditur se aktori Rraci ka pa pasur kancer para 10 vjetëve, ka pasur operacion, pas së cilit ka qenë mirë. Kohëve të fundit i është përkeqësuar gjendja dhe i është nënshtruar tretmaneve mjekësore në New York, ku edhe ka vdekur. Haliti ka njoftuar se varrimi i shokut të tij do të bëhet në New York. Tutje, Haliti është shprehur se ikja e Rracit do të lë zbrazëti të madhe.

“Kemi kaluar kohën më të mirë së bashku, shumicën e kohës duke qeshur me batutat që i kishte të përkryera. Kemi udhëtuar bashkë gjithandej brenda dhe dhe jashtë vendit. Vërtetë e vështirë, kishim ende punë e plane për bërë. Ikja jote miku im do të le zbrazëti të madhe në shoqërinë tonë. Ke qenë shumë i afërt entuziast. Na mbetet të kujtojmë çdoherë miku im, energjin që kishe do ta kemi motiv e shembull për punë. Shprehim ngushllime familjes Rraci kolegëve e shokëve. Lamtumirë miku im i shtrenjtë Xeni. Të pushoftë shpirti në paqe”, ka deklaruar Haliti.

Edhe kolegu tjetër i Rracit, aktori Agron Shala është shprehur se sot ka marrë lajm të rëndë dhe se është e vështirë t’i thuhet lamtumirë.

“Aaaaa Xen… ma heqe nje cope te madhe! Nuk po te qaje ty Xenqe, por po me dhem, e po e qaje veten se mbeta pa ty! Sot e mora lajmin e rende, per ndarjen nga jeta te pridit, mikut, shokut, aktorit, ish ushtarit te UÇK-se Shkelzen Rraci (Xeni). Udhtuam se bashku Xenqe, ne kohe te veshtira e te mira, u trishtova e spo di cfar te them, e aq shume ka per tu then per ty, si njeriu me i mire, i mençuri, mendjehapuri, e aktori mendjemprehti, intelektuali, e patrioti artisti, njerezori… Shkezen Rraci . E veshtire per te thene lamtumire! Prehu ne paqe shoku im! Ngushellime gjithe kolegeve Shqiptar! Ngushellime Albana, e familja Rraci!”, ka shkruar Shala në facebook.

Aktori Shkëlzen Rraci është i njohur për publikun nga seriali “Cimerat” (2006-2010). Ai ka qenë edhe pjesë e shumë filmave dhe teatrit./21Media