U ndërpre seanca ku në rend dite ishin vendimet për gjendje të jashtëzakonshme, vazhdimi do të ricaktohet

TË FUNDIT

Kuvendi sot e filloi seancën, në rend dite të së cilës ishin pesë vendimet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së shkaktuar nga KOVID-19, por debati për to nuk filloi sepse seanca u ndërpre pas miratimit të dy vendimeve për formimin dhe ndryshimin e përbërjes së trupave punues kuvendor.

Pas miratimit të rendit të ditës, deputetët i miratuan Projektvendimin për ndryshimin e vendimit për zgjedhjen e kryetarëve, zëvendëskryetarëve, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre të Komisioneve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe Projektvendimin për krijimin e delegacioneve, grupeve parlamentare dhe formave të tjera për arritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të parashtruar nga kryetari i Kuvedit, Talat Xhaferi.

Pas kësaj, Xhaferi e ndërpreu seancën dhe tha se deputetët do të informohen për vazhdimin. Për pasdite, paralajmëroi mbajtjen e një seance, në rend dite të së cilës është edhe përzgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Ndërkohë, njoftoi Xhaferi, do të mbahet një takim i koordinatorëve të grupeve parlamentare dhe kryetarëve të komisioneve parlamentare, për të cilin u ra dakord në koordinimin e djeshëm parlamentar.

Para fillimit të kësaj seance, nga Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së paralajmëruan se do të votojnë kundër konfirmimit të pesë vendimeve për gjendjen e jashtëzakonshme që e aprovoi presidenti Stevo Pendarovski për shkak të pandemisë së shkaktuar nga KOVID-19, për shkak të së cilës, siç thanë ata, nuk u përdorën për qëllimin për të cilin u miratuan, por u keqpërdorën nga Qeveria.

Pesë vendimet për gjendje të jashtëzakonshme u miratuan më 18 mars, 16 prill, 16 maj, 30 maj dhe 15 qershor, për shkak të pandemisë së KOVID-19./MIA

Për këto vendime nevojitet të votojnë 80 deputetë. Bëhet fjalë për dy vendime për gjendje të jashtëzakonshme në kohëzgjatje prej 30 ditëve, dy nga 14 ditë dhe një vendim për gjendje të jashtëzakonshme në kohëzgjatje prej 8 ditëve.