Turqia dhe Greqia gati për t’i filluar negociatat për Mesdheun

TË FUNDIT

Turqia dhe Greqia janë gati t’i fillojnë negociatat mbi mosmarrëveshjet për pjesën lindore të Mesdheut, publikoi sot presidenca turke.

Në video konferencë midis Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, kancelares gjermane Angela Merkel dhe kryetarit të Këshillit Evropian, Sharl Mishel është theksuar se “Turqia dhe Greqia janë të gatshme t’i fillojnë negociatat” në Mesdheun lindor, ku të dy vendet po luftojnë për zonat e mundshme të pasura me gaz natyror.

Erdogan në takimin tha se “ky vrull që synon uljen e tensioneve dhe përdorimin e kanaleve për dialog duhet të mbështetet me masa reciproke”, shtohet në kumtesë.

Të premten, presidenti turk shprehu gatishmëri për t’u takuar me kryeministrin grek Kirjakos Micotakis, nëse sheh shenja të “qëllimeve të mira”.

Raundi i fundit i bisedimeve midis dy palëve me qëllim të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të Mesdheut u zhvillua në 2016.

Kjo krizë është gjithashtu në agjendën e samitit evropian që do të mbahet në Bruksel më 24 dhe 25 shtator.