Dy ministri nuk kanë uebfaqe në shqip, Osmani dhe Shahpaska premtojnë së shpejti ta përmirësojnë lëshimin

TË FUNDIT

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale janë ndër ministritë e vetme që nuk kanë version të ueb faqes se tyre në gjuhën shqipe edhe përkundër detyrimit ligjor me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Ligji për përdorimin e gjuhëve

-Ueb faqet e institucioneve nga neni 1 i këtij ligji dhe përmbajtja e ueb faqeve krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj, detyrimisht publikohen edhe në gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe alfabetin e saj.

Ministrja e sapozgjedhur në dikasterin e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, premton se do të përpiqet që ta zbatojë ligjin.  

-Unë si ministre e cila tani 4 ditë është në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe si një nga deputetët që ka marrë pjesë në sjelljen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve , kuptohet se do të angazhohem që të respektohen të gjitha dispozitat që janë në këtë ligj,- deklaroi Jagoda Shahpaska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

E ndërkohë nga Ministria e Punëve të Jashtme më të cilën tani udhëheq Bujar Osmani thonë se janë në procedurë e sipër për të implementuar ligjin për përdorimin e gjuhëve. 

-Procedura për vendosjen e versionit shqip në ueb- faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme ka filluar dhe presim që së shpejti të realizohet,- thonë nga ministria e Punëve të Jashtme.

Ndërsa disa ministri siç është ajo e Transportit dhe Lidhjeve edhe pse ka ueb faqe edhe në gjuhën shqipe, nuk ka përmbajtje. Janë të postuara vetëm foto të ministrit nëpër ngjarje dhe takime të ndryshme por pa tekst sqarues, ndërsa në faqen në gjuhën maqedonase janë të gjitha me shkrime.

E njëjta situatë është edhe me Ministrinë e Drejtësisë. Ministrja Milla Carovska gjatë kohës që ishte në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale nuk kishte fare versionin në shqip, ndërsa tani në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës ekziston faqja edhe në gjuhën shqipe sepse paraprakisht kjo ministri kishte ministër shqiptar.

Nga ana tjetër të gjitha ministritë që janë drejtuar nga ministra shqiptarë, ueb faqet e ministrive i kanë të apdejtuara edhe në të dyja gjuhët.