Në VMRO-DPMNE të bindur se kanë fituar, a do të dorëhiqet Mickoski nëse nuk formon qeveri?

TË FUNDIT

Para më shumë se një muaji, kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, pohonte se do të japë dorëheqje nëse nuk i fiton zgjedhjet.

Edhe pse më 15 korrik VMRO-DPMNE dhe koalicioni nuk arriti të fitojë shumicën, Mickoski deri më tani nuk ka paralajmëruar dorëheqje. Nga pallati i bardhë madje konsiderojnë se i kanë fituar zgjedhjet edhe pse kanë 2 deputetë më pak se LSDM-ja me koalicioni i saj.

“Pyetjen po e bëhet në adresë të gabuar. As qëndrimi im, e e asnjë anëtari të VMRO-DPMNE-së nuk është se Hristian Mickoski i ka humbur zgjedhjet. Hristijan Mickoski fitoi në raport me mandatet e marra si parti politike. E dimë se LSDM ishte në koalicion me Besën dhe nëse bëjmë analizë dhe krahasojmë mandatet që i ka marrë VMRO-DPMNE-ja nga njëra anë, dhe në anën tjetër koalicioni Besa-LSDM, do të shohim se humbësi i vetëm, i dënuar nga populli maqedonas në këto zgjedhje është pikërisht Zoran Zaev”, tha anëtari i KE-së së VMRO-DPMNE, Orce Gjorgjievski.

Ndryshe mendon Emilija Aleksandrova, deputete dhe ish-anëtare e VMRO-DPMNE-së, të cilën e larguan nga partia kur mbështeti ndryshimet kushtetuese. Thotë se e ka pritur këtë rezultat të DPMNE-së në zgjedhje. Spotet reklamuese i drejtoheshin vetëm trupin votues të DPMNE-së, e jo votuesve të papërcaktuar. Përveç se kërkon të mbahet përgjegjësi kolektive, Aleksandrova mendon se Mickoski duhet të dorëhiqet.

“Mendoj se është koha e fundit që z.Hristijan Mickoski me dinjitet të japë dorëheqje nga partia dhe përmes një mënyre transparente dhe demokratike të zgjidhet udhëheqja e re sepse e shohim se kjo aktualja, kush u mundua – u mundua, rezultatet janë këto, koha është për ndryshime dhe se patjetër diçka duhet të ndryshohet në VMRO-DPMNE, që të jetë parti konkurrente serioze në zgjedhjet e ardhshme dhe pretendente për të formuar qeverinë”, vlerëson deputetja Emilija Aleksandrova, deputete e larguar nga VMRO-DPMNE-ja.

Nëse Mickoski konsideron se ka fituar këto zgjedhje dhe për këtë arsye nuk jep dorëheqje, mbetet edhe një moment tjetër kur mund të pritet dorëheqja e tij, nëse nuk arrin të formojë qeveri.