Inspektorati i tregut do ta denoncojë një klub nate nga Strumica për mosrespektim të rregullave, menaxhmenti thotë punojnë si kafe bar

TË FUNDIT

Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Stojko Paunovski për MIA-n deklaroi se pas kontrollit të së premtes në Klubin “Avatar” në Strumicë nesër do të shtrohet padi penale në prokurorinë publike për shkak të mosrespektimit të rregullave shëndetësore gjatë pandemisë së Kovid-19.

“Inspektorët ishin atje të premten mbrëma, është përgatitur procesverbali dhe do të shtrohet padi penale pasi që asnjë klub nate për momentin nuk guxon të punojë”, informoi drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Stojko Paunovski.

Nga menaxhmenti i “Avatarit” thonë se punojnë si kafe bar dhe në hapësirë të hapur dhe se i kanë respektuar të gjitha protokollet dhe rregullat.

“Dëshirojmë t’i përgënjeshtrojmë informacionet në të cilat thuhet se jemi klub nate. Nuk bëhet fjalë për klub nate por për kafe bar. Objekti është hapësirë e hapur dhe punon në pajtim me të gjitha rregullat ligjore. Tavolinat janë në distancë të përshtatshme, në të gjitha ka mjete dezinfektimi, të punësuarit vazhdimisht mbajnë maska mbrojtëse. Ne nuk kemi kompetencë të kërkojmë që mysafirët të mbajnë mbrojtje personale, ata vetë përgjigjen për veten. Punojmë në mënyrë të njëjtë sikurse edhe të gjitha objektet hotelierike në qytet. Nuk jemi të vetmit, thuajse secili lokal i dytë në qytet i cili është disa herë më i vogël se i yni, ka ahengje të ngjashme, por për këtë nuk reagon askush dhe nuk ndan fotografi dhe video në rrjetet sociale. Askush nuk reagon as për turmat që bëhen në sipërfaqet publike ku duhet të jetë hapësirë për lëvizjen e qytetarëve janë vendosur tavolina, ndërsa distanca e nevojshme thuajse nuk respektohet”, deklaruan nga “Avatar”.

Ndryshe, përveç në Strumicë inspektorët i kanë inspektuar edhe disa objekte të tjera në disa qytete të tjera në shtet.