Faqe 3000

0

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë njofton se revitalizimi i urës së Mitrovicës dhe hapësirës përreth saj do të nisë nesër pasdite, më 17 tetor, ashtu siç është paralajmëruar.

“Kontraktuesi i BE-së do të mbyllë të dy anët e urës me barriera dhe vendin e ndërtimit me gardh. Punët ndërtimore në këtë urë do të kryhen duke iu qasur vendit të punimeve përmes rrugës nga ana jugore”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së.
Bëhet e ditur se gjatë kohës së revitalizimit, njëra anë e urës do të ketë qasje për kalimtarët.

Samuel Zhbogar, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë ka lavdëruar durimin e të dyja palëve, duke veçuar kryetarët Agim Bahtiri e Goran Rakiq për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre të treguar gjatë ditëve të kaluara.

“Diskutimet për Memorandumin e Mirëkuptimit për Planet Zhvillimore Komunale, Hartën Komunale të Zonave dhe Planin e detajuar Rregullativ po vazhdojnë”, thuhet në njoftim.

Zyra e BE-së në Kosovë do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me këto dy komuna gjatë gjithë pr ocesit për të monitoruar dhe rishikuar zhvillimet. Ajo po ashtu do ta informojë publikun e Kosovës për çështjet përkatëse.

Revitalizimi i urës së Mitrovicës është paraparë me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes të arritur më 25 gusht 2015 në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

0

Fëmijë prej 20 shkollave fillore të Shkupit festuan ditën Botërore të Ushqimit. Manifestimi, i cili  u mbajt në shkollën për rehabilitim “Naum Ohridski”, kishte për qëllim të  afrojë fëmijët me nevoja të veçanta me ata të cilët mbajnë orë të rregullta. Gjatë aktivitetit, fëmijët së bashku formonin figurave me pemë e perime të ndryshme.

Këtu takuam nënën e vogëlushes Emine, e cila dëshiron që këso aktivitetesh të ketë më shpesh. Ajo thotë se institucionet duhet të interesohen më shumë për këta fëmijë, të cilëve u duhet kushtuar shumë vëmendje. “Ndjenja është shumë e lumtur për këta fëmijë, edhe ne si prindër duhet të jemi të fortë. Me këta fëmijë duhet të punohet, sidomos ne si prindër, por edhe shteti duhet të marrë masa për këta fëmijë të angazhohen më tepër, të kenë kujdes më tepër, t’i dërgojnë jashtë shtetit, që të tregohet sa fëmijë të aftë kemi”, thotë Mubexhel Sejfullahu. E bija e saj, Eminja, është viti i tretë. Këtë ditë e kaloi me shoqëri dhe në atmosferë pozitive. “Jam e lumtur shumë”, thotë ajo.

Profesori i shkollës për rehabilitim, Zhivko Janevski thotë qytetarët ndihmuan shumë për të realizuar manifestimin. Sipas tij, institucionet duhet të investojnë në socializim më të madh të këtyre fëmijëve. “Me kënaqësi të jashtëzakonshme po them se gjejmë një mbështetje të madhe tek bashkësia shoqërore dhe financiarisht na ndihmojnë për këso lloj manifestime”, tregon Janevski.

Fëmijët ishin të entuziazmuar duke përgatitur figurat. Na tregojnë se çfarë kanë vendosur të bëjnë gjatë kësaj dite. “Është shumë bukur këtu të jesh me fëmijët dhe të kënaqesh duke bërë lloj looj gjërash prej pemëve dhe perimeve”…”Mund të bëhen shumë figura, unë do të bëjë zog”…”Unë quhem Ajshe Mehmeti dhe sot kam vendosur të përgatis një pinguin” – shprehen fëmijët prezent në këtë eveniment.

Manifestimi mbahet për të pestën herë dhe ka karakter garues. Shkolla që ka bërë figura më të mira do të shpërblehet me mirënjohje.

ARBANA QERIMI

0

Opozita dilogon me pozitën për tejkalimin e situatës së krijuar vetëm nëse shqyrtohen apo tërhiqet fare nënshkrimi nga i marrëveshjet e fundit me Serbinë dhe atë për Demarkacionin me Malin e Zi. Madje, VV akuzon Qeverinë se më këto marrëveshje ia shiti “Zajednicës”, siç e quajnë ata Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Suhadollin. AAK vendos për protestë por nuk cakton datë pa aprovimin e partive të tjera opozitare./ 21 Media

0

Kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj, me anë të një postimi në Facebook ka treguar se deponia e mbeturinave në fshatin Beleg është hequr, kurse në fshatin Llukë të Ulët është ndërtuar Ura e re.
Këto dy probleme ishin ngritur nga banorët e Decanit në RTV21.

Ja postimi i plotë i kryetarit të Deçanit:

“Sot gazetarja e TV21 Merita Sekiraqa në vend të ngjarjes, në Beleg të shkolla aty ku është eliminuar një deponi e mbeturinave dhe në Llukë të Ulët të ura e re e ndërtuar! Dy shqetësime të ngritura nga banorët përmes TV21 tashmë nuk ekzistojnë…”

decan

0

Shoqatat shqiptare të Malit të Zi që veprojnë në SHBA kanë reaguar ndaj kërcënimeve të Ministrisë së Arsimit të shtetit malazias ndaj nxënëseve shqiptar të shkollës së Tuzit, të cilët me simbolet e tyre kombëtare festuan plasmanin historik të Shqipërisë në kampionatin Evropian.

Shtatë shoqatat vlerësojnë se shtetit malazias po i pengon çdo gjë shqiptare, urrejtja ndaj qenies shqiptare e dëshmoj dhe konfirmoj përmes një deklarate Ministria e Arsimit të këtij shteti me reagimet e saja tendencioze, kinse për qortimin e nxënëseve shqiptar vetëmse festuan me flamurin e tyre kombëtarë duke mos shkaktuar asnjë incident më të vogël.

“Absurditet i llojit të vetë është fakti se vetë institucionet malaziase nuk respektojnë Kushtetutën e tyre, sepse kushtetuta u lejon shqiptarëve përdorimin e simboleve kombëtare, ndërkaq ligjet e po të njëjtit shtet e ndalojnë atë. Shoqatat tona i habit edhe fakti se si vallë subjektet politike shqiptare heshtin dhe nuk reagojnë edhe kur sulmohen dhe kërcënohen edhe fëmijët e tyre. Shoqatat vlerësojnë se në momentin aktual është dashur të reagoj edhe organi kompetent, mbipartiak Këshilli Nacional i Shqiptareve (KNSH) nën Mal te Z i, dhe se heshtja e tyre nuk arsyetohet në asnjë mënyrë”, thuhet në reagimin e këtyre shoqatave.

Sipas tyre, partitë nacionale shqiptare me aleancat e tyre të interesit të ngushte me partin në pushtet DPS po bëhen aprovuese të këtyre shkeljeve dhe nëpërkëmbjeve të të drejtave të shqiptarëve nën Mal të Zi.

Ne ua bëjmë me dije rinisë tonë se ne mburremi me ju në çdo aspekt jetës dhe se ne me plot përkushtim do të përkrahim aktivitetet edukimin dhe qëndrimin e rinisë në vendlindjet tona. Shoqata Atdhetare ’’Ana e Malit’’-New York, Shoqata Atdhetare ‘’Malësia e Madhe’’- Detroit, Fondacioni ‘’Plavë Guci’’- Neë York, Fondacioni Humanitar ‘’Malësi e Madhe’’- New York, Fondacioni ‘’Dom Simon Filipaj’’- New York, Shoqata Atdhetare ‘’Kraja’’- New York, Shoqata Atdhetare ‘’Ulqini ‘’- Chicago.

0

Në Dibër po ndërtohet objekti i ri i gjimnazit “Zdravko Çoçkovski” përmes një donacioni të agjencisë turke për zhvillim “TIKA”.

Nga organizata turke sot u bë e ditur se përveç donacionit për ndërtim, do të sigurohen edhe gjitha pajisjet dhe inventari i nevojshëm për gjimnazin.

Objekti i ri është ndërtuar në një hapësirë prej 5300 metrave katrorë, ndërsa investimi i plotë arrin në mbi 1,5 milion euro. Përveç kësaj, janë siguruar nga agjencia turke për zhvillim edhe 500 mijë euro të tjera për furnizim me pajisje dhe inventarin shkollor, por edhe hapësirën e jashtme të kësaj shkolle të mesme.  Gjimnazi i Tetovës ka qenë një objekt montazhi i ndërtuar që nga viti 1967, pas një tërmeti që kishte përfshirë këtë qytet.

0

Barrikadimi në qëndrime mes Qeverisë dhe partive opozitare sa vjen e thellohet edhe më shumë. Derisa, opozita nuk heq dorë nga kërkesa për tërheqje të nënshkrimeve nga marrëveshjet për Asociacionin dhe demarkacionin, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa edhe një herë ka shprehur qëndrimin e tij dhe Qeverisë që drejton se nuk do të ketë zmbrapsje nga marrëveshjet e arritura në Bruksel. Madje, ai tha se është i gatshëm që t’i përgjigjet Kuvendit për çdo punë që bënë Qeveria, por nuk është i gatshëm të pranoj ultimatume dhe kërcënime nga opozita.

Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, kryeministri Isa Mustafa në emër të Qeverisë shprehu keqardhje, për siç tha ai, qasjen destruktive dhe përdorimin e dhunës nga opozita ndaj institucioneve kushtetuese e ligjore të Kosovës.

Kreu i ekzekutivit, shprehu bindjen e tij se veprimet e fundit të partive opozitare nuk u shërbejnë interesave të qytetarëve të Kosovës, madje sipas tij, ato bien ndesh me interesat e tyre sepse ato veprime dëmtojnë Kosovën, imazhin e saj dhe të ardhmen e saj.

Ai ka kërkuar që të zhbllokohet Kuvendi i Kosovës në mënyrë që të vazhdojnë me përmbushjen e obligimeve që kanë marr para qytetarëve të Kosovës.

I pari i Qeverisë, theksoi se me procesin e bisedimeve në Bruksel, Kosova synon të përmbyll problemet me të ballafaqohet që prej përfundimit të luftës dhe të hap perspektiven e saj zhvillimore dhe integruese, prandaj çdo kërkesë ultimative për t’iu shmangur këtij procesi, e dëmton Kosovën dhe e cenon perspektiven e saj euroatlantike dhe partneritetin strategjik me SHBA-në, vendet e BE-së dhe vendet e tjera mbështetëse të li risë, pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.
Mustafa ka kërkuar nga organet e rendit dhe drejtësisë t’i ndriçojnë të gjitha ngjarjet e fundit dhe të vendoset drejtësia në vend, sepse janë përcaktuar për Kosovën shtet ligjor dhe nuk do të ketë zmbrapsje nga ky qëllim.

Sipas tij, opozitës po i përgjigjet që të mbetet i pazgjidhur problemi i Kosovës, vetëm që vijnë në pushtet në mënyrë jo demokratike, duke kërkuar zgjedhje, pasi mendojnë se edhe zgjedhjet duhet t’i bëjnë me gaz lotsjellës.

Koalicionin qeverisës, Mustafa e ka vlerësuar si unik dhe të palëkundur. Sipas tij, koalicioni qeverisës nuk ka arsye të zmbrapset nga përgjegjësitë që ka marr për të udhëhequr vendin drejt të ardhmes.

Mustafa ka folur edhe për demarkacionin e Malin e Zi, duke thënë se territori i Kosovës do të jetë po ai me të cilin Kosova ka menaxhuar me kushtetutën e vitit 1974.

Mustafa bëri me dije se presin që në fund të këtij vitit, Kosova ta ketë datën për liberalizim të vizave, derisa janë duke punuar që ta transformojnë FSK-në në Forca të Armatosura të Kosovës.

Në këtë mbledhje, kabinetin qeveritar, ministri i Financave Avdullah Hoti e njoftoi lidhur me të hyrat buxhetore.

Hoti tha se kanë pasur një ngecje prej 14.5 për qind të të hyrave vetanake të komunave, si dhe nga dividenta e PTK-së, që është paraparë për këtë viti t’i marrin 30 milionë euro. Kabineti qeveritar miratoi edhe disa propozim vendime.

0
Presidentja e vendit Atifete Jahjaga, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), Haki Demolli, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Francesco Paolo FIGLIUOLO vizituan sot operacionet përfundimtare të Ushtrimit fushor ,,Shqiponja 4’’ të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Jezerc të Ferizajt.

Me këtë rast e para e vendit dhe njëherësh Komandantja e përgjithshme, zonja Jahjaga pasi pa nga afër demonstrimet e Njësive të specializuar dhe pjesëtarëve në vend incidente u shpreh tejet e lumtur mbi të arriturat profesionale të njësive dhe pjesëtarëve gjatë zhvillimit të operacioneve, me motivimin, disiplinën dhe përkushtimin për të realizuar detyrat sipas skenarit të paraparë për ushtrim.

Presidentja Jahjaga e uroj ministrin Haki Demolli e gjithashtu edhe Komandantin e FSK-së, gjeneral Ramën për profesionalizmin e treguar me këtë ushtrim me të cilin janë provuar dhe demonstruar shkathtësitë reaguese të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të qenë e gatshme për intervenim kurdo që kërkohet në situata reale. Në fund presidentja e vendit tha se ky përkushtim i këtyre djemve dhe vajzave, ky seriozitet dhe ky përparim është treguesi më i mirë që FSK-ja është e gatshme për tu transformuar në Forca të Armatosura të Kosovës, më të cilin do të kompletohej infrastruktura e sigurisë në vend.

Pas vizitës që Ministri Haki Demolli u bëri katër vend incidenteve gjatë operacioneve të ushtrimit ,, Shqiponja 4’’, u shpreh i lumtur për realizimin me sukses të ushtrimit më të madh vjetor të FSK-së, si dhe përgëzoj gjeneral Rrahman Ramën për suksesin e FSK-së të treguar gjatë pesë ditëve të operacionit.

Objektiv i Ushtrimit fushor ,, Shqiponja 4’’ ishte trajnimi i liderëve dhe njësive për Detyrat Kolektive, me qëllim të realizimit të operacioneve komplekse në mbështetje të autoriteteve civile në fazën e Planifikimit, Ekzekutimit si dhe atë të Analizimit.

Aktivitetet e ushtrimit i vizituan edhe ambasadorët e ShBA-ve, Shqipërisë, Turqisë, pastaj atashetë ushtarak të vendeve partnere, gjithashtu edhe kryetarët e komunave Ferizaj dhe Suharekë si dhe oficerë nga Policia e Kosovës dhe peronalitete vendore dhe nderkombëtarë.

Në Ushtrimin fushor “Shqiponja 4″ të Forcës së Sigurisë së Kosovës i cili u zhvillua nga data 11 deri më 16 tetor 2015, në lokacionin e jezercit , komuna e Ferizajt, ishin të angazhuar rreth 400 trupa me rreth 65 automjete.

fsk1

fsk2

fsk3

0

Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) reagoi sot kundër aksioneve të fundit poliore në rajonin e Shkupit  dhe Kumanovës.

Sipas kësaj partie, është papërgjegjësi dhe keqpërdorim i forcës së pushtetit kur zhvillohen trysni dhe tortura ndaj popullatës e cila siç thuhet është e thelluar në skamje dhe varfëri,për shkak të krizës në vend.

PPD thekson  se nuk ka mëdyshje se ky aksion u realizua me ndonjë marrëveshje të protagonistëve të krizës, me synim për të defokusuar vëmendjen e opinionit dhe zhvatjen e realizimit të marrëveshjes së Përzhinos,e cila parasheh që deri me datë 20 Tetor MPB të ketë Ministër të ri,  që sipas kësaj partie,  nuk do të jetë vetëm edhe një i dëgjueshëm i duetit farefisnor Gruevski-Mijallkov.

PPD-ja reagon edhe kundër taktizimeve të VMRO-së për bllokimin e funksionimit të Prokurorisë Speciale. Kjo parti i bën thirrje faktorëve politik, posaçërisht siç thuhet krerëve të pushtetit aktual nga VMRO dhe BDI,të mendojnë mirë para se të krijojnë kriza të reja.

 

0

Gjatë 24 orëve të fundit, janë  dhënë gjithsejtë 2.555 vërtetime për refugjatë, që kanë hyrë në Maqedoni.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme,  1.356 refugjatë të regjistruar janë nga Siria, 791 nga Afganistani, 271 nga Iraku  dhe të tjerët nga vendet e tjera të Lindjes së Mesme.

Në mesin e tyre janë 133 fëmijë që kanë udhëtuar pa prindër.

Ndërsa nga 19 qershori deri më sot,  janë regjistruar mbi 145 mijë refugjatë, që janë pajisur me leje qëndrim të përkohshëm, të  cilët më pas kanë vazhduar drejt Serbisë.  Mbi 101 mijë prej tyre janë nga Siria, 23 mijë nga Afganistani dhe nga vendet e tjera afrikane dhe aziatike.