Faqe 2000

0

Presidenti Gjorgje Ivanov nga Pelinca përcolli urime me rastin e Ilindenit, duke thënë se të gjithë qytetarët duhet të jenë të bashkuar pa dallime etnike. Por ai në fjalimin e tij u ndal tek zhvillimet e fundit në vend që kanë të bëjnë me krizën politike dhe zgjidhjen e saj.

Ivanov tha se pas një kohe të gjatë dhe negociatave të lodhshme, është arritur marrëveshja e Përzhinës për tejkalimin e krizës politike.

“U bëj thirrje që dialogun ta vazhdojmë në institucionet demokratike dhe jo në ambasadat e jashtme. Përkrahjen e kërkojmë prej qytetarëve e jo nga faktori ndërkombëtar”, u shpreh Gjorgje Ivanov, Kryetar i RM.

Ndërsa delegacioni parlamentar para përmendores së Nikolla Karevit dhe para fasadës së ngjyrosur të Kuvendit nga Revolucioni i Larmë, vendosi lule me rastin e shënimit të të dy Ilindenëve. Edhe pse para disa ditëve kishte aksion për pastrimin e fasadës së Kuvendit dhe përmendoreve në Parkun Gruaja  – Luftëtare, skela ndër fasadë ende është aty, që nënkupton se aktivitetet për pastrimin e ngjyrave do të vazhdojnë edhe nesër.

Kryeparlamentari Trajko Veljanovski, bëri thirrje për unitet dhe bashkim, por lëshoi kritika ndaj  opozitës duke thënë për ata se janë “të dehur nga dëshira për pushtet”.

“Qytetarët dolën në zgjedhje dhe votuan! Vullneti i tyre është pa mëdyshje dhe i qartë! Mbështetja e popullit ishte e pastër si kristali! Megjithatë – edhe pas gjithë kësaj – sot ky postulat themelor demokratik është në rrezik! Në zjarrin e betejës politike, të dehur nga dëshira për pushtet – për fat të keq ekzistojnë persona që në kurriz të popullit, këmbëngulin ta vjedhin Maqedoninë”, tha Trajko Veljanovski, Kryetari i Kuvendit të RM.

Ndryshe qendra e Shkupit në krahasim me vitet e tjera ishte e zbrazët. Qytetarët e paktë që kishin dalë, flasin për këtë festë.

„Po shihet ndarja e popullit, partive, pushtetit. Duke e parë se sa njerëz kanë dalë, shihet se kanë kaluar kohërat kur mijëra qytetarë mblidheshin në shesh”.

„Mendoj se kjo festë festohet më shumë se festat e tjera, madje më shumë se edhe Viti i Ri”, u shprehën disa qytetarë.

Përndryshe, Maqedonia sot i shënon dy Ilindenët historik – 113 vjetorin e fillimit të kryengritjes së Ilindenit dhe 72 vjetorin e mbledhjes së parë të Këshillit Antifashit për Çlirimin Popullor të Maqedonisë, ku u konfirmua pozita shoqëroro­juridike e Maqedonisë si shtet i barabartë federal në korniza të Federatës së  Jugosllavisë.

Gazetare: Arbana Qerimi 

0

Ilindeni është festë e të gjithë qytetarëve, pa dallim feje, kombësie dhe përkatësie partiake dhe prandaj duhet të jemi të bashkuar ashtu siç kanë qenë paraardhësit tanë të cilët kanë luftuar për liri, porositën qytetarët që sot e kremtuan festën shtetërore.

“Maqedonia është shtet i të gjithëve që jetojnë këtu, pavarësisht përkatësisë etnike. Dëshiroj të them që na nevojitet unitet dhe bashkim në mënyrë që bota të kuptojë se Maqedonia është e gjallë dhe se ne si qytetarë e duam këtë vend”, u shpreh Trajçe Georgievski, qytetar.

“Ne të gjithë jemi të njëjtë, të gjithë e festojmë Ilindenin dhe arritjet nga kjo betejë historike i ndjejmë të gjithë. Gjatë kremtimit të festës nuk duhet të ketë kurrfarë dallimi dhe privilegje, sepse kjo është festë për të gjithë popullin”, tha Vesna Serafimovska, qytetare.

“Të mos përsëriten vuajtjet e së kaluarës. Jam shumë e lumtur që e jetojmë këtë liri që të mund të jetojmë të lirë”, tha Marija Dimkova, qytetare.

Po të shihet procesi i organizimit të kryengritjes nga një këndvështrim i sotëm, do të vërejmë se ai është i ngjashëm me aktualitetin, thotë historiani Zoran Bogeski. Sipas tij, edhe atëherë ka pasur mosbesim dhe zhgënjim në struktura të caktuara, por megjithatë, në emër të kauzës, këto janë tejkaluar.

“Ka pasur raste të mosbesimit për shkaqe të ndryshme. Ka ndodhur që anëtarë të caktuar të vijnë dhe ta pranojnë organizatën, por më pas të zhgënjehen nga strukturat e mëparshme, nga të cilat janë tradhtuar. Shumë thjeshtë mund të tërheqim paralele të identifikimit të zhvillimeve të atëhershme me zhvillimet aktuale”, u shpreh Zoran Bogeski, Drejtor i Muzeut Historik të Krushevës.

Profesori i pensionuar Petar Karajanov deklaroi se festat nuk duhet të ndahen në “të tonat” dhe “të atyre”.

“U zhytëm në thellësitë parahistorike, ndërsa i harruam motivet kryesore të paraardhësve, gjegjësisht Ilindenin e vitit 1903… Në emër të viktimave që ranë për lirinë e sotme ne shtetin  duhet ta zhvillojmë më tutje, e jo ta rrënojnë dalëngadalë me tranzicionin e gjatë dhe mospajtimet”, shtoi Petar Karajanov.

Ndërkohë, edhe historianët edhe qytetarët  janë të bashkuar me qëndrimet për zgjidhje sa më të shpejtë të krizës, zhvillim ekonomik dhe përshpejtim të integrimeve evropiane të vendit.

Gazetare: Gabriela D. Mishevska

0

Xhabir Deralla nga Qendra për Liri “Civil” thotë se nuk janë të mjaftueshme 20 ditë që të verifikohen mbi 39 qytetarë, që u kontestohet e drejta e  votës. Sipas tij, edhe KSHZ nuk po arrin të shkëputet nga kthetrat e politikës.

“Nuk ekziston kohë e mjaftueshme e as hapësirë, as mundësi që të pastrohen këto shkresa të dyshimta të 39 mijë e 502 në listën zgjedhore. Thjesht KSHZ nuk arrin të shkëputet nga kthetrat e politikës. Këtu shohim një proces jo cilësor. Nuk mendojmë se me këtë tempo do të kemi në fund do të kemi pastrim të mjaftueshëm të votuesve gjegjësisht shkresave në listën zgjedhore’’, u shpreh Xhabir Deralla, nga CIVIL.

Kryetari i Qendrës për Demokraci dhe Zhvillim, Orhan Murtezani e quan skandaloze mënyrën e përpilimit të listës me mbi 39 mijë qytetarë, të cilëve u kontestohet e drejta e votës. Ai thotë se me këtë listë është bërë metodologji e gabuar dhe se në këtë mënyrë nuk mundet që këta qytetarë për 20 ditë të paraqiten për të verifikuar të drejtën e votës.

“Nëse nisemi nga kjo dinamikë ku për çdo ditë kemi po thuajse 100-150 qytetarë që paraqiten shpresat janë shumë të vogla se mund të verifikohen të gjithë qytetarët dhe do të vijmë me një situatë ku në ditën e zgjedhjeve qytetarët do të ju drejtohen vendvotimeve, por nuk do ta gjejnë veten në listën e votimit. Andaj ne edhe një herë i bëjmë thirrje KSHZ-së që së paku ta tërheq këtë listë zgjedhore dhe pas ciklit zgjedhor, të krijohen kushte që përmes një metodologjie të verifikohen këta votues , që u kontestohet e drejta e votës’’, tha Orhan Murtezani, nga Qendra për Demokraci dhe Zhvilim.

Kundër verifikimit të mbi 39 mijë votuesve të kontestueshëm kanë reaguar edhe partitë opozitare politike, pasi që sipas tyre, ajo ka shumë parregullsi dhe gabime, ku në të u gjetën edhe emra të liderëve të partive politike dhe personave publik. Sipas KSHZ, 39.502 votues të kontestueshëm deri më 19 gusht duhet të verifikojnë të drejtën e votës, në zyrat rajonale të KSHZ, por edhe në formë elektronike. Më shumë votues të këtillë ka në Çair me 8.659, Tetova me 6.692, Karposhi 4008, Gostivari 3.532  dhe Saraji 2420. Ndërsa ata që në numër më të madh kanë verifikuar të drejtën e votës janë nga komuna e Çairit, Aerodromit, Qendrës, Karposhit, ndërsa në shumë komuna janë paraqitur vetëm nga një qytetar.

Përgatiti: Armend Murseli 

0

“Populli di të vlerësojë dhe të sjellë vendime të mençura, ndërsa detyrimi ynë është që kjo të mundësohet sa më shpejt në zgjedhje, porositi kryetari i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski nga tubimi në fshatin Turnovë të Manastirit, me rastin e shënimit të festës së Ilindenit.

“E di që populli maqedonas mezi e pret rastin të deklarohet në lidhje me të gjithë atë që e vërejtur periudhën e kaluar, ta japë votën e tij, të dalë në zgjedhje fer dhe të drejta, të thotë se qytetarët e Maqedonisë janë zotë të këtij vendi, se këtu jeton një popull që di çfarë dëshiron dhe di çfarë bën”, u shpreh Nikolla Gruevski, Kryetar i VMRO-DPMNE.

Gruevski përcolli edhe mesazhe patriotike, duke thënë se VMRO-DPMNE është sinonim i shtetësisë,patriotizmit dhe pavarsësisë së Maqedonisë.  Përgëzime për festën nga Krusheva përcolli kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev. Sipas tij, Maqedonia është atdheu i përbashkët i të gjithë qytetarëve dhe se të gjithë duhet të luftojnë për të për të arritur idealet e dy ilindenëve.

“Neve na duhet një Ilinden i katërt në të cilin do të bashkoheshim, pa dallim feje, kombësie, gjinie apo bindjeje. Bashkërisht, vëllezër, motra, vendas dhe komshi, ashtu siç është shkruar edhe në Manifestin e Krusehvës, do të luftojmë për të drejtat, lirinë dhe drejtësinë sociale”, tha Zaev.

Uuu, tradhëtarë, Zaev shko në shtëpi, ju jeni tradhtar të Maqedonisë, ju jeni një tradhtar i popullit maqedonas.

Kështu u prit nga disa të pranishëm  lideri i LSDM-së Zoran Zaev Meçkin Kamen në Krushevë, ku po merr pjesë në kremtimin e dy Ilindenët .

Kryetari i partisë Të Bashkuar për Maqedoninë, Lube Boshkovski bëri thirrje për bashkim dhe nuk duhet ndarje sipas bindjeve dhe ideologjive.

“Unë nuk i ndaj bijtë maqedonas në VMRO-istë dhe komunistë. Maqedonia ka shumë varre nga e kaluara dhe prandaj konsideroj se duhet si asnjëherë më parë të jemi të bashkuar”, tha Lube Boshkovski, Të Bashkuar për Maqedoninë.

Përveç PPD si parti e parë e pluralizmit në Maqedoni, asnjë parti tjetër politike nuk ka përcjellë mesazhe urimi me rastin e festës.

“Duke ua uruar Ilindenin, njëkohësisht ju dëshirojmë që  të ardhmen ta presim në një Maqedoni ku secili qytetar do ti gëzojë të drejtat universale, lirinë individuale, drejtësinë sociale dhe sundimin e ligjit, ashtu si që parashihte Manifesti i Krushevës si rezultat i së cilës doli Qeveria multietnike e Republikës së atëhershme, për të cilën të gjithë luftuan, pa dallim”, nga PPD.

Mesazhe urimi për festën e Ilindenit përcollën edhe partitë e tjera politike.

Përgatiti: Zimer Jashari   

0

Komunikacioni hekurudhor vazhdimisht paraqet problem për të gjithë banorët e zonave përreth hekurudhave. Çdo vit ndodhin aksidente të ndryshme në këto vende. Së fundmi ishte 32 vjeçari, Bujar Osmani, ai që humbi jetën në një vendkalim të tillë në fshatin Radushë, dhe kjo, sipas banorëve, nga mosfunksionimi i sinjalizimit paraprak për hekurudhë. Për aksidentet e shumta që ndodhin aty, banorët iu hedhin fajin edhe ngasësve të trenit, që, sipas tyre nuk respektojnë shenjat e sinjalizimit. Mungesë tjetër në këto vende paraqiten edhe rampat.

“Aty nuk ka as rampë as sinjalizim, dhe nuk ka ndodhur  vetëm një herë, por shumë herë. Është e domosdoshme që të vihen rampa në këto vende, përndryshe banorët e fshatit tonë kërkojnë se si ta ndalojnë qarkullimin hekurudhor aty”, u shpreh Avdyl Mejdiu, Kryetar i Bashkësisë Lokale në Radushë.

“Këto sinjale që i shihni këtu punojnë pa kontroll, ndonjëherë punojnë tërë ditën, ndonjëherë nuk aktivizohen fare. Ky problem është cekur disa herë, mirëpo asnjë intervenim nuk kemi lidhur me këtë. Ne edhe më tëj do të bëjmë kërkesa”, tha Adis Nazifi, Banor i fshatit Radushë.

Për këta banorë, drejtori i hekurudhave të Maqedonisë dhe infrastrukturës, Irfan Asani, thotë se nuk janë banorë të atij vendi por vetëm janë thirrur për të bërë, siç e quan ai, shou mediatik. Ai me gjithë keqardhjen që ka ndaj rastit, sipas tij, të rëndë, të Bujar Osmanit, thotë se nuk ndjehet fajtor për këtë pasi që ai kryen punën me përgjegjësi.

“Ne nuk kemi marrë ankesa nga banorët. Ata që ankohen nuk janë banorë të atyre vendeve, por po bëjnë shou mediatik dhe unë fizikisht nuk e kam mundësinë të parandaloj problemet që ndodhin, njerëzit duhet të jenë të vetedijshëm që në kryqëzim të rrugës me hekurudhë duhet të ndjekin sinjalizimin dhe nëse aty kemi dritën e kuqe të ndezur natyrisht që është e ndaluar të kalohet, dhe nëse kalohet dihet çka ndodh”, është shprehur Irfan Asani, Drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë dhe Infrastrukturës.

Ndërsa për atë se a ka plane për vendosjen e rampave në këto zona, ai vetëm thekson se çështja e rampave ka të bëjë me kategorizimin e kalimeve apo kryqëzimeve rrugë me hekurudhë, por ato nuk vendohen ashtu siç mendojnë banorët, mirëpo ka rregulla se cilat kalime me çfarë sistemi të sinjalizimit  rregullohen.

Më tej, Asani, thekson se do t’i vuajnë pasojat si institucion, po që se institucionet të cilat merren me atë punë siç është byroja për ekspertizë ligjore, prokuroria dhe policia tregojnë që ka pasur lëshim nga ana e Hekurudhave të Maqedonisë .

Në këtë fshat ka gjithsej 5 kryqëzime të rrugës me hekurudhë, të cilat qytetarët duhet t’i kalojnë për të arritur në ndonjë lokacion të afërt.

Përgatiti: Dardana Sadiki

0

“Pokemon Go” do tu ndalohet krimineleve seksual  për të mbrojtur fëmijët e Nju Jorkut

Guvernatori i shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, iu drejtua dje shërbimeve të lirimit me kusht që të ndalojnë për 3 mijë kriminelë seksual të skeduar që të luajnë lojën “Pokemon Go” për të mbrojtur fëmijët e Nju Jorkut.

“Loja e zhvilluar nga kompania amerikane “Niantic” dhe e shkarkuar më shumë se 75 milionë herë, është në fakt, shumë e pëlqyer nga publiku i ri dhe mundëson lokalizimin e lojtarëve të tjerë, ky element mund ta shndërrojë në një mjet për predatorët seksualë”, sipas guvernatorit.

“Pra, Andrew Cuomo i ka kërkuar departamentit të burgjeve dhe të lirimit me kusht të ndalojë ‘Pokemon Go’ për personat e dënuar për krime me karakter seksual që kanë shlyer dënimin por vazhdojnë të mbeten të skeduar”, sipas një njoftimi.

Ai i ka kërkuar gjithashtu “Niantic”-ut që të pengojë këta ish-kriminelë seksualë të luajnë me lojën më popullore të momentit.

Loja konsiston në kapjen e disa krijesave virtuale që kamerat e telefonave shfaqin rreth lojtarit.

0

Edhe një dëshmi që tregon se mosha është vetëm numër 

Shumica prej njerëzve mendojnë se të qenurit i moshuar është një dënim apo një sëmundje demotivuese. Nuk është ashtu! Gratë në artikullin tonë dëshmojnë se është e mundur të plakesh me stil. Ato janë mbi 70 vjeç dhe janë modele.

Këto zonja nuk e fshehin moshën e tyre. Ato i injorojnë stereotipet dhe thjesht jetojnë jetët e tyre deri në maksimum, transmeton 21Media.

Nëse ju për disa arsye ndiheni të shqetësuar për moshën tuaj, atëherë ne kemi gjetur për ju nëntë arsye të mrekullueshme që ta lini marrosjen anash. Vetëm lexoni dhe ndiqni shembullin e këtyre zonjave./21Media

Lauren Hutton, 72 vjeçare

China Machado, 86 vjeçare

/21Media

0

Aktorja seksi Sheron Stone, nuk është duke i ndjerë vitet

Gati 25 vjet pas suksesit të Basic Instict, Sharon Stone tregon që për të koha ka ndaluar në vitin 1992, kur bota zbuloi bukurinë e saj.

Këtë herë aktorja ka arritur të bëjë të tjerët të flasin për të dhe jo për shkak të një filmi, por thjesht për një foto të postuar në rrjetin e saj social të Instagram dhe Facebook.

Ajo shfaqet në foto pa grim dhe e veshur në bikini. Duket thjesht e mrekullueshme, një 58 vjeçare që ngjan si një 20 vjeçare.

foto