5 PARABURGIMET E “PERANDORISË”, KAMÇEV 30 DITË PRAPA GRILAVE

0

Paraburgim tridhjetë ditor morën pesë personat e dyshuar në rastin “Perandoria”. Vendimet u caktuan nga gjykatësi i procedurës paraprake pas marrjes në pyetje të 5 nga 13 të dyshuarit, siç informuan nga PPS. Këtë hetim dje e ngriti kryeprokurorja speciale Katica Janeva dhe Lile Stefanova.

Ndërsa, pesë të dyshuarit në burgun e Shutkës, u sollën rreth orës 2 e 30 të mëngjesit.

Reagimet e avokatëve të të paraburgosurve ishin se PPS e ka tejkaluar juridiksionin e saj, ndërsa sot nga Specialja thonë nuk kanë asnjë pengesë ligjore që rastin “Perandoria” ta çojnë deri në fund. Prokurorët theksojnë se pas ngritjes së hetimit së shpejti do të dorëzojnë aktakuzën, për shkak se nuk është skaduar afati ligjor prej 18 muajve për të ngritur aktakuzë. Siç informojnë nga PPS, për nevojat e kësaj lënde, kanë marrë rreth 10 lëndë nga Prokuroria themelore që do të thotë se afati i tyre do të rrjedh që nga dita kur i kanë marrë ato dhe jo nga momenti kur i kanë marrë materialet e përgjuara, të njohura si “bombat”.

“Prokurori publik i cili e udhëheq Prokurorinë Publike, mund ta ngrejë akuzë ose të japë urdhër për të ndaluar procedurën hetimore në periudhë jo më e gjatë prej 18 muajve që nga dita e marrjes së lëndëve dhe materialeve që janë nën kompetencat e tij”, Neni 22 nga Ligji i PPS-së.

Mbrëmë, pas orës 18:00 në Gjykatën Penale është sjell i dyshuari i parë, Jordan Kamçev, kurse para tij me pranga në duar u sollën drejtori i “Stopanska Banka – Bitola” Nenad Josifoviq, bashkëpronari i “Pelisterka” Cvetan Pandeleski, pronari i kompanisë “Eksiko” Todor Mirçevski dhe anëtarja e bordit të drejtorëve të “Orka Holding” Zorica Arsovska.

Drejtori ekzekutiv i “Orka Holding” Jordan Kamçev mbrëmë para se të shkoj në gjykatë përmes një kumtese deklaroi se të gjitha kompanitë e tij janë të hapura për bashkëpunim me PPS-në si dhe me të gjitha institucionet tjera shtetërore. Edhe Pandeleski pati një reagim me shkrim.

“Kompanitë që janë në pronësi të familjes Pandeleski, në të kaluarën por edhe tani, punojnë sipas rregullave ligjore të shtetit. Me përgjegjësi të plotë pohoj se në punën tonë nuk ka asnjë aktivitet kriminel. Në kushtet në të cilat gjendemi si shtet, mundohemi të sigurojmë sa më shumë vende të punës për familjet në Maqedoni. Sjellja e  kompanive tona ndaj institucioneve shtetërore të Maqedonisë dhe para se gjithash ndaj  ligjeve të Maqedonisë, gjithmonë është bazuar në transparencë dhe përgjegjësi”, tha Cvetan Pandeleski, i akuzuar.

Në hetimin e ri “Perandoria” të PPS-së të dyshuar janë gjithsej 13 persona për mashtrim, pastrim parash, organizim kriminal, dëmtim apo autorizim të kreditorëve, dhe shpërdorim të detyrës zyrtare. Sipas PPS, gjatë bastisjes së 12 lokacioneve dje janë siguruar dëshmi të mjaftueshme prej të cilave nga viti 2002 deri në vitin 2013 të dyshuarit i kishin kryer veprat penale. Në afat të shkurtër, njoftojnë nga specialja, pritet edhe zgjerim i hetimit ndaj personave të tjerë dhe për vepra të tjera penale, të cilat ndërlidhen me rastin “Perandoria”.

Përgatiti: Adnan Qaili