40 TË PUNËSUAR NË MPB ME DIPLOMA FALSE PADI PENALE PËR FAKULTETET QË I KANË DHËNË DIPLOMAT

0

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, publikisht në emisionin Klik Plus, e zbuloi numrin e personave që kanë qenë të angazhuar në MPB, ndërsa kanë poseduar diploma të falsifikuara për arsim të mesëm dhe të lartë. Ai tha se secili i punësuar në mënyrë joligjore, do të shkarkohet nga puna.

Që nga viti 2015 e deri më sot kemi mbi 40 raste të këtilla me diploma të falsifikuara. Ata persona janë degraduar nga vendi i punës dhe kundër tyre është ngritur procedurë penale. Po ngrihen padi penale kundër të gjithë personave , tha  Oliver Spasovski, Ministri i Punëve të Brendshme.

Nga MPB shtojnë se tashmë janë ngritur padi penale kundër fakulteteve që i kanë dhënë këto diploma, ndërsa personat në fjalë janë shkarkuar nga puna. Janë falsifikuar diploma të arsimit të mesëm dhe të lartë.

Kishim një rast të tillë me zëdhënësen e SPB Kumanovë, gjithashtu edhe me zëvendës komandantin e njësitit Alfa dhe me një nëpunës policor i cili njëkohësisht ishte profesor universitar në një universitet në Maqedoni, tha Toni Angellovski, zëdhënës i MPB-së.

Nga Sindikata e pavarur e policisë, thonë se nuk janë të informuar për këto raste por besojnë se numri i të punësuarve me diploma të falsifikuara është disa herë më i madh.