27 PRILLI, 211 VJET BURG PËR 16 TË AKUZUAR, ÇAVKOV ME 18 VJET, ALIMI 7, DURLLOVSKI NË LIRI

0

Nën akuzën “kërcënim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë” 16 të përfshirë në ngjarjet e 27 prillit u dënuan me gjithsej 211 vite burg.

Dënimi më i lartë me 18 vjet heqje lirie iu shqiptua ish-drejtorit për Siguri Publike Mitko Çavkov.

Me nga 15 vjet u dënuan Mitko Peshov, Dushko Llazarov, Goran Gjoshevski – Levi, Jane Çento, Munir Pepiq, Nikolla Mitrevski – Kolo dhe Vllatko Trajkovski.

“Dobrilla Kacarska: Vllatko Trajkovski, dënim me burg prej 15 vjetësh.

Trajkovski: Qoftë e hajrit!

14 vjet burg iu caktuan Villiam Mihajllovski. 13 Oliver Popovskit, ndërsa me nga 12 vjet heqje lirie u dënuan Gorançe Angellovski – Qoseto, Igor Jug dhe Mlladen Dodevski.  Oliver Radullovit iu shqiptua 10 vjet burg. Aleksandar Vasilevskit – Ninxhas 8, kurse me 7 vjet u dënua Abdylfeta Alimi.

Mitko Çavkov: 18 vjet 

Mitko Peshov: 15 vjet burg

Dushko  Llazarov: 15 vjet burg

Goran Gjoshevski – Levi: 15 vjet burg

Jane Çento: 15 vjet burg

Vllatko Trajkovski: 15 vjet burg

Munir Pepiq: 15 vjet burg

Nikolla Mitrevski – Kolo: 15 vjet burg

Vilijam Mihajllovski: 14 vjet burg

Oliver Popovski: 13 vjet burg

Gorançe Angellovski – Qoseto: 12 vjet burg

Igor Jug: 12 vjet burg

Mlladen Dodevski: 12 vjet burg

Oliver Radullov: 10 vjet burg

Aleksandar Vasilevski – Ninxha: 8 vjet burg

Abdulfetah Alimi: 7 vjet burg

Më i gëzuari nga salla e gjyqit doli Igor Durllovski i cili u shpall i pafajshëm.

Me lirimin e Durllovskit nuk pajtohet Prokurorja Ivana Trajçeva, e cila mbetet në qëndrimin se ai ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Nëse Prokuroria do të ankohet ose jo për lirimin e Durllovskit, Trajçeva tha se për këtë do të vendosin pasi ta kenë pranuar aktgjykimin me shkrim të gjykatës. Për dënimet e tjera, Trajçeva tha se drejtësia është e kënaqur.

“Për disa të akuzuar u shqiptuan dënime nën minimumin ligjor, kurse për disa të tjerë nga dënimi i paraparë ligjor e sipër. Kur shohim se sa është lartësia e disa dënimeve, dikush mund të thotë se janë relativisht të larta, e dikush jo. Megjithatë edhe këtu lë hapësirë që gjykimin ta marrim të shkruar se cilat rrethana ka vlerësuar gjykata për secilin nga të akuzuarit”, theksoi Prokurorja,  Ivana Trajçeva.

Avokati i Mitko Çavkovit tha se dënimi prej 18 vitesh nuk është aspak befasi as për të e as për klientin, ndërsa sipas tij vendimi nuk është rezultat i gjendjes faktike të vërtetuar.

“Patjetër se do të ankohemi dhe do të shohim se ku do të arrijmë por jam i sigurt se gjykata me logjikën e së drejtës, sidomos në Strasburg këtë nuk do ta pranojë. Gjykata me logjikën e së drejtës është me vlerësime të dëshmive, në Strasburg kjo nuk do të pranohet, përndryshe jemi të qetë dhe nuk kemi asnjë arsye pse të shqetësohemi”, u shpreh Sasho Dukovski, avokat i Mitko Cavkovit.

Familjarët e Abdylfetah Alimit thonë se sot prisnin shpalljen e pafajësisë së tij, e jo 7 vjet burg.

“Kjo nuk është assesi e arsyeshme. Një herë Fetah Alimi ishte trim, e tani me 7 vjet burg, kjo as nuk shkruhet e as nuk mund të mendohet, nuk di se si ta them. Asnjëfarë krimi nuk ka bërë, vetëm që ka bërë të mirë, ka shpëtuar njeri, e të marrë 7 vjet burg, kjo është e paarsyeshme, unë nuk e shoh të drejtë këtë”, deklaroi Alim Jashari, kushëriri i Abdulfeta Alimit.

Me frikën se të dënuarit mund të arratisen, Prokuroria kërkoi paraburgim për ata që deri më sot janë mbrojtur në liri si dhe vazhdim të paraburgimit për ata që deri tani kanë qenë në paraburgim. Me arsyetimin se të akuzuarit kanë deponuar shuma të majme parash ose prona, avokatët e kundërshtuan këtë kërkesë të Prokurorisë për paraburgim. Megjiithatë në fund trupi gjykues solli vendim që të gjithë 16 të të dënuarve t’u caktohet masë me paraburgim shtëpiak, dëshirë kjo edhe e të dënuarit Qoseto, i cili paraprakisht tha se nuk dëshiron të mbrohet në liri.

“Jam mirë me shokët në Shutkë. Edhe ashtu nuk kam para të kthehem në Veles, sepse nuk kam vjedhur”, tha Gorançe Angellovski i dënuar me 12 vjet burg.

Procesi gjyqësor për natën e përgjakshme të 27 prillit të vitit 2017, filloi më 22 gusht të vitit 2018. Në fillim ishin 33 të akuzuar, por pas ligjit për amnisti të miratuar në Kuvend, 15 u liruan nga akuza me arsyetimin se s’kanë ushtruar dhunë dhe s’kanë qenë organizues. Në fjalën e saj gjykatësja Dobrilla Kacarska tha se dëshmitari i koduar si “N1” ka deklaruar se ngjarjet e dhunshme kanë qenë “paraprakisht të menduara, të organizuara dhe të financuara”. Cak sipas këtij dëshmitari kanë qenë Zoran Zaev, Ziadin Sela dhe Damjan Mançevski. Kacarska tha se ngjarjet e 27 prillit do të shkruhen me shkronja të zeza.

Përgatiti: Besir Arifi