A ËSHTË AMNISTIA KUSHTI I OPOZITËS?, AKUZA MES LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së

0

https://www.youtube.com/watch?v=p7jQElVD_Rw&feature=youtu.be

Opozitarja VMRO-DPMNE nuk heq dorë nga kërkesat e saj. Këmbëngulin për, siç thonë, konceptet tashmë të dakorduara për financimin e partive politike dhe për formim të qeverisë teknike sipas modelit të Përzhinës, 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare. Kjo u ripërsërit mbrëmë në mbledhjen e Komiteti Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së.

 

“Vetëm në këtë mënyrë votuesit do të kenë garancë se pushteti nuk do ta keqpërdorë votën e tyre, respektivisht që opozita do të ketë mundësi të veprojë ndaj të gjitha përpjekjeve për falsifikim të mundshëm dhe të mos lejojë përsëritjen si në zgjedhjet lokale. Përpjekjet e Zoran Zaev që ta manipulojë opinionin me shpjegime imagjinare se ndokush kërkon amnisti për ndonjë krim, u vlerësuan si joserioze”thonë nga VMRO-DPMNE.

 VMRO-DMPNE-ja mohon të ketë kërkuar amnisti për të përfshirët në ngjarjet e 27 prillit, si zgjidhje për formimin e KSHZ-së dhe mbajtjen e referendumit. Për partinë e Mickoskit kjo është përpjekje e LSDM-së për defokusim të vëmendjes nga marrëveshja e dëmshme me Greqinë. Megjithatë nga partia në pushtet vazhdojnë t’i akuzojnë për të njëjtën gjë.

“VMRO-DPMNE-ja e di mirë se marrëveshja e çon Maqedoninë përpara, por atyre u interesojnë interesat personale dhe amnistia, prandaj përpiqen ta gënjejnë opinionin. (…) Marrëveshja e siguron të ardhmen maqedonase, si pjesë e BE-së dhe NATO-s. (…) Duket hapur se VMRO-DPMNE-ja nuk mund të dalë nga matrica e ndasive, izolimit dhe konfliktit, andaj në çdo mënyrë përpiqet ta frenojë të ardhmen maqedonase” thonë nga LSDM.

 Pas takimit të djeshëm, si Kryeministri Zaev po ashtu edhe lideri VMRO-DPMNE-së Mickoski, pohuan se ka përparim në disa tema, por pa treguar se për cilat bëhet fjalë. Ajo që dihet deri më tani është se  Kryeministri Zaev i ka informuar liderët se parashikohet që referendumi të jetë konsultativ ndërsa pyetja të jetë: “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO duke pranuar Marrëveshjen mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”. Dje, pas takimit të dytë, Mickoski tha se ende nuk kanë arritur deri tek pyetja e referendumit.

 

“Jam optimist. Për një pjesë të temave kemi përparim, për një pjesë të temave nuk kemi asnjë përparim. Në përgjithësi ngelet peng deri në momentin e formimit të përbërjes së KSHZ-së” deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Se me ç ‘përfundime do të dalin liderët Zaev, Mickoski, Ahmeti dhe Kasami, ngelen për t’u parë të dielën në mbrëmje ose të hënën në mëngjes, në takimin e radhës të paralajmëruar nga vetë Kryeministri.  Përmes këtij takimi duhet të vihet deri tek një zgjidhje rreth mbajtjes së referendumit. Ky i fundit organizohet nga KSHZ-ja, formimi i së cilës është bllokuar nga VMRO-DPMNE-ja. Referendumi duhet të mbahet 60 deri në 90 ditë pasi Kuvendi të vendosë për mbajtjen e të njëjtit.

PËRGATITI: BESIR ARIFI