1 DITË PROTESTË 1 DITË JO! NË MAQEDONI ËSHTË PROTESTUAR 179 DITË BRENDA NJË VITI

0

https://youtu.be/U7Be5i20fq0

Qytetarët e Maqedonisë gjysmën e vitit 2017 e kanë kaluar duke protestuar nëpër rrugët e Shkupit. Të paktën 179 protesta janë regjistruar nga Sektori për punë të brendshme në Shkup. Por numri real i protestave është më i madh se kaq, meqë siç njoftojnë nga Ministria e punëve të brendshme, numri i dhënë ka të bëjë me protestat për të cilat paraprakisht është kërkuar prania e policëve për të mbajtur rendin.

“Ju informojmë se gjatë vitit 2017, në rajonin e Sektorit për punë të brendshme Shkup, nga ana e shërbyesve policorë janë realizuar aktivitete për zhvillimin dhe organizimin e papengueshëm të 179 mbledhjeve protestuese të qytetarëve”, nga MPB.

Ky fenomen i protestimit ka anën pozitive dhe atë negative vlerëson sociologu Ali Pajaziti. Sipas tij, pozitive është vetëdija e qytetarëve për të ngritur zërin ndaj padrejtësive, ndërsa negative është  ajo që zëri i ngritur has në vesh të shurdhër.

“Kjo mund të shpjegohet në dy aspekte ose në dy konotacione. Njëri është aspekti pozitiv që tregon se kemi një hapërim, gjegjësisht progres në zhvillimin e kulturës së protestës. Aspekti negativ që mund ta nxjerrim nga shfaqja e kaq shumë protestave, është se kemi probleme sociale, pra jemi një shoqëri me telashe shoqërore dhe për këtë arsye zëri i qytetarit shfaqet rrugëve”, tha Ali Pajaziti, sociolog.

E politikologu Xhenis Sulimani thekson se protestat janë një fenomen pozitiv në një shoqëri dhe qytetarët duhet që nëpërmjet protestave të funksionojnë si një lloj korrektuesi për politikanët.

“Nëse tërheqim një paralele nga regjimi i kaluar, tani shoh një zbehje të zërit të qytetarit. Ka protesta por jo me theks të veçuar sikur para një viti, ose para dy viteve, gjatë regjimit të mëparshëm.  Unë mendoj se trendi i protestave duhet të theksohet më tepër, pavarësisht se kush është në pushtet dhe gjithmonë zëri i popullit të jetë një farë korrektuesi ndaj politikanëve”, tha Xhenis Sulimani, politikolog.

Ndryshe, numër të konsiderueshëm të protestave ka pasur edhe në muajt e kaluar të këtij viti.  Duke filluar nga protestat për drejtësi, për lirinë e shprehjes, për punën e mediave, e deri tek protestat kundër ndryshimit të emrit. Protesta më të theksuara dhe që kanë zgjatur më së shumti janë ato të Reovlucionit Shumëngjyrësh të cilat mbaheshin për përpara se të formohej qeveria Zaev, si dhe protestat e Lëvizjes Të Palëkundurit, të cilat po zgjasin tashmë më shumë se një vit.

Përgatiti: Bajram Memeti