Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është arritur “një lloj marrëveshjeje”.
“Sot ka qenë dita ku ne është dashur të arrijmë marrëveshje për planin e zbatimit. Kemi arritur marrëveshje. Unë jam i lumtur për këtë. Megjithatë kjo nuk është e tëra”, tha mes tjerash Vuçiq.
Në këtë takim që u ndërmjetësua nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, u bisedua për zbatimin e një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Duke iu drejtuar gazetarëve, ai tha se nuk ka nënshkruar asgjë.
“Këto disa pika për të cilat kemi rënë dakord, do të jenë pjesë e kornizës së negociatave për të dyja palët, si për Beogradin, ashtu edhe për Prishtinën. Këshilli Evropian do të marrë një vendim që kjo të bëhet pjesë e vendimit të negociuar”, tha presidenti serb.
Kurti dhe Vuçiq, për mbi 10 orë, nën ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë, diskutuan për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Këtë propozim, dy liderët e pranuan gjatë takimit të 27 shkurtit në Bruksel.