VLEN ka diskutuar që të shkojë drejt bashkimit në një subjekti të vetëm politik, tregoi kryetari i Besës, Bilall Kasami, një ditë pasi koalicioni ku ai bën pjesë kumtoi se ASH-ja e Arben Taravarit u vetëpërjashtua nga VLEN-i duke vendosur që të dalë me lista të veçanta për këshilltarët komunalë.
“Nuk ka qenë çështja deri tash se kush do të jetë kryetar, më së paku brenda VLEN-it ka pasur debat se kush do t’i prijë këtij subjekti politik dhe si do të bëhen ndarja e përgjegjësive. Për ne është me rëndësi që VLEN të vazhdojë misionin që e ka nisur në zgjedhjet parlamentare, ta bëjë ndryshimin dhe të sjellë frymë të re, qasje të re”, tha Kasami
E duke reaguar për situatën e krijuar, liderët e tjerë të VLEN-it komentuan përmes rrjeteve sociale. Kryetari i LD-së Izet Mexhiti shkroi se ndryshimi është i vështirë në fillim, i ngatërruar në mes, dhe i jashtëzakonshëm në fund, por sipas tij, askush s’e ndal dot – as oportunistët, as demagogët që refuzojnë të ndryshojnë, as politikanët e varur, e as, siç shkruan, oligarkët që duan ta mbajnë peng politikën.
“Ndryshimi është thirrja e popullit. Dhe kur populli bashkohet, ndryshimi ndodh. Ndryshimi vazhdon. Bashkë me qytetarin e ndershëm. Bashkë me aktivistin e drejtë. Bashkë me militantin e sinqertë. Fryma e ndryshimit bashkon. Sepse ndryshimi VLEN”, deklaroi Mexhiti.
Me shkrim reagoi edhe kryetari i Alternativës Zeqirija Ibrahimi.
“Sot, përballë dy koalicioneve të qarta – VLEN dhe Fronti Europian i udhëhequr nga BDI – çdo largim nga VLEN-i nuk është neutralitet, por është një kalim tek Fronti, tek BDI-ja, ose, më saktë, tek Plaku i Soravisë. E thënë troç: kush largohet nga VLEN-i, është në shërbim të Partisë Nongrata. Pa dramatizime në rolin e viktimës, pa interpretime simbolike e pa ekzegjeza politike”, u shpreh Ibrahimi.
Më i gjatë në reagim ishte Bekim Qoku, përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje brenda koalicionit VLEN. Në shtjellimin e gjithë zhvillimeve, mes tjerash ai shkroi se insistimi për lista të ndara është të kërkosh sebep për t’u ndarë, jo për t’u bashkuar. Argumenti se me lista të ndara do të maten forcat brenda koalicionit, sipas Qokut, është i pakuptimtë. Më tej shprehet se VLEN-i duhet t’i masë forcat vetëm me BDI-në.
“Shkuarja me lista të ndara për këshilltarë komunalë, përveçse do të dobësonte keqas koalicionin VLEN, do të përçante edhe votën shqiptare. Katër partitë e VLEN-it, veç e veç, ende janë të vogla në raport me BDI-në. Vetëm unifikimi i tyre, bashkë me faktorin VV, i bën të konkurueshëm dhe të fuqishëm për të triumfuar në zgjedhjet e radhës”, tha Qoku.
E kreu i ASH-së Arben Taravari, përmes Facebookut reagoi duke shkruar se një nga thirrjet më qesharake është apeli për ndryshim nga dikush që vet përdor metoda të një mentaliteti politik të vjetër.
“Ndryshimi fillon nga vetja por për dikë kërkon më shumë kohë e për dikë më pak…fatkeqësisht ka disa që nuk ndryshojnë dot asnjëherë! Aleanca ka një motiv që e mban gjithnjë në lëvizje dhe ai është Kushtrimi i Njerëzve! Lum kush e dëgjon sepse e ka të lehtë rrugën drejt Fitores! Dhe fitorja më e madhe janë Njerëzit dhe jona sapo ka filluar”, deklaroi Taravari.
VLEN-i dje kumtoi se Taravari u vetëpërjashtua nga koalicioni. Në këtë konkluzion erdhën liderët dhe përfaqësuesit e tre partive të tjera, pasi një ditë më parë Kryesia Qendrore e ASH-së vendosi që në zgjedhje lokale të garojë me lista të veçanta për këshilltarë komunal, gjë e pa pranueshme për drejtuesit e tjerë të VLEN-it.