Nga Alternativa kanë reaguar pasi Gjykata Penale sot shtyu seancën gjyqësore për rastin “Titanik 2”, me çka lënda ku akuzohet Sasho Mijallkovi, kalon në vjetërsim. Nga Alternativa thonë se kjo dëshmon se është veprim i duhur propozimi i tyre për amendament në të cilin parashihet që rastet për korrupsion politik mos të vjetërsohen.
“Lajmi se seanca për lëndën “Titanik 2” është shtyrë, në mënyrë që kjo lëndë të vjetrohet, është dëshmia më e saktë jo vetëm për korruptimin e skajshëm të sistemit gjyqësor, por edhe arsye absolute që të pranohet propozim-amendamenti kushtetues i Alternativës që lëndët e korrupsionit politik të mos mund të vjetrohen asnjëherë. Lënda e Mijallkovit është peshqesh edhe për ministrin e Drejtësisë, i cili akoma nuk është deklaruar për propozimin tonë për luftën kundër korrupsionit politik.
Sidoqoftë, ne urojmë që ky vendim të mos jetë pjesë e pazareve për krijimin e shumicës për ndryshime kushtetuese. Se nëse korrupsioni politik është mjet për agjendën eurointegruese, kjo flet se ka perënduar ëndrra europiane e këtij vendi”, thonë nga Alternativa.