Roboti i parë humanoid i Rusisë me AI rrëzohet pas vetëm disa sekondave (VIDEO)

TË FUNDIT

Roboti i parë humanoid i Rusisë me inteligjencë artificiale u rrëzua pak sekonda pas prezantimit të tij zyrtar, ndërsa stafi luftonte për të tërhequr një perde në skenë që të fshihej fiasko, transmeton “TVP”.

Roboti u prezantua nga firma ruse e robotikës “Idol” në një ngjarje teknologjike në Moskë të hënën, si pjesë e një përpjekje për t’i shfaqur përparimet e Rusisë në inteligjencën artificiale dhe robotikë.

Kjo ngjarje kishte për qëllim ta demonstronte futjen e Rusisë në skenën globale për robotë humanoid.

Megjithatë, ngjarja mori kthesë të papritur kur roboti, i quajtur AIdol, bëri disa hapa të paqëndrueshëm, humbi ekuilibrin dhe ra përmbys, duke iu shpërndarë disa pjesë në të gjithë skenën.

Shefi i Idol, Vladimir Vitukhin, ia atribuoi rënien problemeve të kalibrimit, duke thënë se roboti mbetet në fazën e testimit.

“Shpresoj që ky gabim të shndërrohet në një mësim”, tha ai.

Pavarësisht këtij dështimi, zhvilluesit e Idol këmbëngulin se AIdol përfaqëson një hap të rëndësishëm për Rusinë në skenën e robotikës.

Roboti fuqizohet nga një bateri 48 voltëshe e aftë për gjashtë orë funksionim dhe aktualisht përbëhet nga 77 komponentë të prodhuar në Rusi, një shifër që kompania planifikon ta rrisë në 93 për qind në versionet e ardhshme.

Edhe pse AIdol nuk është ende i aftë të qëndrojë në këmbë, “roboti mund të buzëqeshë, të mendojë dhe të befasohet – njësoj si një person”, tha Vitukhin gjatë prezantimit.

Megjithatë, reagimi i publikut ishte më pak tolerant. Kritikët në rrjete sociale dhe forumet ruse të teknologjisë u tallën me këtë ngjarje dhe vunë dyshime në vendimin për ta paraqitur në skenë një prototip të pakompletuar.

Zhvilluesit që atëherë e kanë hequr AIdol nga ekspozimi publik për t’i hetuar sistemet e tij të ekuilibrit dhe softuerin e kontrollit.