Reagon BFI për protestën: Së shpejti akreditohet Medreseja, na kanë premtuar politikanët dhe qeveritarët

TË FUNDIT

Bashkësia Fetare Islame ka reaguar pas protestave të nxënësve të medresesë “Isa Beu” në Tetovë, nëpërmjet të cilës u kërkua njohja e diplomave të kësaj shkolle teologjike në universitetet e Maqedonisë së Veriut.

Nga BFI thonë se ka 5 vjet që bëhen përpjekje për t’u zgjidhur ky problem dhe si rezultat është përpiluar draft-ligji me të cilin parashihet akreditimi i kësaj shkolle.

Paralajmërojnë se së shpejti do të dorëzohet në Kuvend për miratim.

Thonë se kjo çështje do të merr epilog pozitiv për çfarë kanë marrë edhe garanci nga faktori politik dhe qeveritar në vend, transmeton TV21.

Reagimi i plotë:

Bashkësia Fetare Islame me seriozitetin më të madh i ka pranuar shqetësimet e nxënësve të Medresesë Isa Beu, si nga Qendra ashtu edhe nga Paralelet e Shtrira të vajzave.
Njoftojmë opinionin publik se rreth 5 vite po bëhen përpjekje të vazhdueshme për akreditimin e Medresesë Isa Beu në sistemin arsimor të vendit. Këtë e vërteton arkiva e BFI në të cilën janë protokolluar të gjitha kërkesat deri më tani.
Si rezultat i asaj që vitin e fundit janë intensifikuar përpjekjet në këtë drejtim, tash më është përgatitur drafti i cili në një afat të caktuar do të futet në procedurë parlamentare me qëllim të sjelljes së ligjit.
Në bisedat e shumta që ka pasur Reisul Ulema i BFI H. Hfz. Shaqir ef. Fetai me bashkëpunëtorët e tij, ka marrë premtime se kjo çështje do të merr epilogun e vet pozitiv. Të këtilla janë garancitë nga faktorët relevant politik dhe Qeveritar.
Akuzat se BFI nuk i përfill kërkesat e nxënësve vijnë si rezultat i informimit të pamjaftueshëm, apo për qëllime të tjera jo të ndershme, që bien ndesh me realitetin.
BFI ndan shqetësimin e thellë me nxënësit e Medresesë dhe familjet e tyre, andaj po jep maksimumin që të tejkalohet ky problem i cili ekziston që nga themelimi i Medresesë Isa Beu.

MARKETING I PAGUAR POLITIK